Nga Boldnews.al
Protestat masive të studentëve të Universiteteve Shtetërore në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Durrës i morën frymën qeverisë Rama që prej disa orësh është mbyllur në bunkerin e saj të heshtjes, ndërsa po bën “interlekutore” ministren e Arsimit Lindita Nikolla.
Me zë të ngjirur e dukshëm nën tension, Nikolla lajmëroi se qeveria ishte tërhequr nga vendimi për rritjen e tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
Pas tërheqjes nga kjo pikë, studentët sërish nuk u zbrapsën por kërkuan përgjysmimin e tarifave vjetore të studimit, kushte më të mira të studimit dhe akomodimit në konvikte dhe trasparencë të plotë të administrimit të fondeve nga fakultete përkatëse.
Kërkesat mëse normale të studentëve tashmë nuk janë vetëm për kauzën e tyre. Ata po protestojnë për çdo padrejtësi. Për varfërinë, për prindërit e tyre që heqin kafshatën nga goja për të shkolluar fëmijët. Për padrejtësinë e madhe sociale, arrogancën deri në çmenduri të qeverisë, për korrupsionin dhe mbi të gjitha për propagandën qeveritare që ka për synim përçarjen dhe sundimin e çdo fryme protestash në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama këtë e di mirë dhe deri në mesditën e djeshme është fshehur poshtë “përdes” së errët të kryeministrisë, duke humbur për disa orë nga rrjetet sociale. Revolta nuk po ndalet dhe ditët e Ramës janë të numëruara, duke mos e shpëtuar as propaganda e paguar e disa të ashtëquajturave “media të mëdha vizive”.
Minjëra studentë po rrisin frymën e revoltës çdo qytetari që përballet me tarifat e rritura të shërbimit nga bashkitë, me taksat e tejfryera, me papunësi, me mungesë shprese e me mendje për tu arratisur nga vendi. Kjo është koha, sot është momenti! Por rreziku i përçarjes mund të vijë pikërisht nga politika, kryesisht opozita, që në pamundësi për të krijuar kauza politike të saj, tenton të shfrytëzojë revoltën popullore, e mbi të gjitha atë studentore.
Secili prej atyre studentëve që dje e sot dolën në protestë e njeh vuajtjen. Janë të rinj që për të mos parë përditë vuajtjet e prindërve mundohen të punojnë vetë ku të mundin. Kamarierë në ndonjë lokal ku mbërrijnë vipat e politikës, në ndonjë bar ku dëfrehen oligarkët e këtij vendi, që shpenzojnë aq shumë para vetëm për një darkë sa çdo student do i duhet të paguajë për një vit shkollë. Në fund paguhen 150 milë lekë të vjetra në muaj nga punëdhënësit e tyre. Ashtu të përgjumur, të përvuajtuar dhe nën padrejtësinë edhe të profesorëve të lidhur me politikën, detyrohen të shtyjnë provimet dhe në fund konsiderohen nga kryeministri si “ngëlës”. Këta “ngelës” apo studentë ekselentë, kanë një të përbashkët që çdi ditë e kanë luftë për ekzistencë, që për të marrë atë dije për të nesërmen duhet të bëjnë llogaritë për sot.
Ndonëse nuk kanë dalë në ballë të parë, disa syresh nga opozita janë konstatuar pranë studentëve dhe ky do jetë rreziku numër një që demonstrimi admirues i tyre të sfumohet. Megjithatë fryma rinore, për më shumë e ardhur krejt spontanisht, po organizatorë të shitur e të blerë po e çon situatën në një rrugë pa kthim, që në çdo rast shkurton ditët e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Për shumëkënd Rilindas mund të ngjajë gati e habitshme sesi në pak orë mijëra student lanë auditorët dhe rrethuan Ministrinë e Arsimit. Fryma e krijuar tashmë është në duart e brezit të ri, që nuk po proteston vetëm për disa nevoja që lidhen me “iteresin” e tyre, por kalon përtej kërkesave të renditura në drejtim të qeverisë. Ky është momenti më kritik i kryeministrit Edi Rama dhe taborrit të Rilindjes, orët janë të numëruara edhe për klasën tjetër politike. Revoltat nuk njohin ngjyrë partiake…