Edson Arantes do Nascimento, shkurt legjenda e futbollit Pele ka dhënë një intervistë për një gazetë në Brazil, ku është shprehur se Diego Armando Maradona është më i mirë se bashkëkombësi i tij Lione Messi. Po ashtu ai ka kritikuar edhe yllin brazilian Neymar.
“Është e vështirë të mbrosh Neymarin për të gjitha gjërat që ka përtej futbollit, bisedova me të, ai ka fat të keq, sepse skuadra nuk fitoi Kupën e Botës dhe ai u piketua nga kritikët”, tha Pele, teksa shtoi se braziliani është më i mirë se Mbappe por në Europë francezin e vendosin mediat para tij.
“Për mua, Maradona ishte një nga lojtarët më të mirë që ka pasur, nëse më pyet mua, a ishte më mirë se Messi? Ishte shumë më mirë, kanë qenë edhe Beckenbauer, Cruyff, lojtarë të shkëlqyeshëm,” tha ai.
Ish-lojtari brazilian, 78 vjeç, gjithashtu komentoi gjendjen e tij shëndetësore dhe tha se ai është “njëqind për qind” pas kryerjes së tre operacioneve në vitet e fundit.