Detajet e skandalit/ Ja si Prokuroria e Donika Prelës lehtësoi trafikantin e 1.7 ton drogë

Nga Boldnews.al
Në bordin e një skafi që po trafikonte 1.7 ton drogë drejt Italisë, në shkurt 2017, u gjetën dokumenta, pasaportë dhe telefoni i përdorur nga shtetasi Ariel Meçaj. Por, Prokuroria për Krime të Rënda i vlerësoi të gjitha këto prova të pamjaftueshme për të ngritur ndaj tij akuzën për “trafik narkotikësh”.

Në qershor 2018, pak javë pasi Donika Prela kishte marrë detyrën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Meçaj, i dyshuar fillimisht për trafikun e 1.7 ton narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë, përfiton nga “bujaria” e institucionit hetimor dhe shkon në gjyq vetëm për “moskallëzim krimi”.

Ariel Meçaj nga Vlora dyshohej se ishte një ndër personat që kishin organizuar trafikun e sasisë gjigande të lëndës narkotike nga Vlora për në Brindizi, nëpërmjet një skafi, ngjarje e ndodhur në 2 shkurt 2017. Skafi dhe ngarkesa u sekuestruan nga autoritetet greke, në bashkëpunim me ato italiane, në afërsi të Karaburunit. Ndërkohë që trafikantët arritën të largoheshin.

Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet dhe, në Prill 2018, e dërgoi çështjen për gjykim në ngarkim të Ariel Meçaj, i akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”. Gjyqtari i seancës paraprake tek Krimet e Rënda, konstatoi se prokuroria duhet të kryente edhe disa veprime shtesë, para se të konsideronte hetimin e përfunduar plotësisht.

Dosja hetimore rikthehet sërish në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që në krye të saj caktohet Donika Prela, nëpërmjet një vendimi të paligjshëm të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Rreth një muaj pasi Prela mori detyrën, prokuroria “kuptoi” se e kishte akuzuar më kot Ariel Meçajn për “trafik narkotikësh”. Për Krimet e Rënda, ai duhet të akuzohej vetëm për “moskallëzim krimi” dhe për këtë arsye, ia kaloi dosjen për kompetencë Prokurorisë së Vlorës.

Ky rast, fillimisht është publikuar në rrjete sociale nga gazetari Basir Çollaku. “Boldnews.al” arriti të sigurojë detaje nga dosja hetimore, në bazë të të cilave krijohen dyshime të forta se Prokuroria për Krime të Rënda, e drejtuar nga Donika Prela, ka lehtësuar tej mase pozitën ligjore të Ariel Meçaj.

Nga dosja hetimore rezulton se, në 2 shkurt 2017, policia italiane kishte konstatuar pranë brigjeve të saj që po afrohej një skaf me shpejtësi të madhe. Kanë tentuar ta ndalojnë, por skafi me tre persona në bord ka ndryshuar drejtim, duke hyrë në ujërat territoriale greke. Aty janë aktivizuar patrullat policore greke, të cilat e kanë ndjekur skafin në brendësi të ujërave shqiptare, pasi kishin marrë më parë lejen e autoriteteve të vendit tonë.

Skafistët, pasi hedhin ngarkesën në det, ndalojnë skafin në disa shkëmbinj, në bregun e Karaburunit dhe largohen në thellësi të tokës. Policia greke, për shkak të motit të vështirë, e tërheq skafin e gjendur në breg dhe e ankoron në Korfuz, për të kryer kontrollin. Gjithashtu, dy mjete lundruese të policisë greke mblodhën pakot e hedhura nga skafi, ku rezultuan 1.7 ton kanabis sativa.

Pas kësaj ngjarjeje, në bashkëpunim me autoritetet greke, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin. Në skaf u gjendën, ndër të tjera, disa dokumenta të shtetasit Ariel Meçaj. Ndër këto dokumente, ishin edhe akt (prokurë me shkrim dore) që një shtetas shqiptar me banim në SHBA i kishte dhënë Meçajt për shitjen e skafit, pasaporta e Meçajt, e lëshuar në vitin 2010, telefonin e përdorur prej tij, etj.

Në bazë të këtyre të dhënave, prokurorët e konsideruan Meçajn si një prej organizatorëve të këtij trafiku, i cili u zhvillua në datë 2 shkurt 2017. Nga të dhënat e hetimit, rezultoi se Ariel Meçaj kishte kaluar në Greqi dy ditë para rastit të trafikut, pra në 31 janar 2017, me pasaportën që iu gjet në skaf.

Këto të dhëna, si edhe të tjera të mbledhura gjatë hetimit, bindën Prokurorinë për Krime të Rënda që Ariel Meçaj ishte i përfshirë në trafikimin e 1.7 ton drogë. Me këtë akuzë, prokuroria paraqitet në gjykatë, në Prill 2018. Por, pasi gjykata e riktheu dosjen, për disa plotësime, Prokuroria për Krime të Rënda ndryshoi mendimin, duke rrëzuar të gjithë hetimin e saj 18 mujor dhe vendos që Ariel Meçaj të gjykohet për “moskallëzim krimi”, duke rrëzuar akuzën e “trafikimit të narkotikëve”.

Argumentat që jep Prokuroria e Donika Prelës për ndryshimin e akuzës krijojnë dyshimet se ka një “favorizim” të dukshëm ndaj personit nën hetim.

Prokuroria, në ndryshimin e akuzës, thotë se nuk provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Ariel Meçaj është i përfshirë në trafik.

“Fakti që në mjetin lundrues për të cilin i pandehuri Ariel Meçaj, kishte të drejtën e disponimit (shitjes), si dhe fakti i gjetjes dhe sekuestrimit në të të dokumentave të tij personalë (pasaportë dhe kartë identiteti) dhe aparatit telefonik të markës APPLE- iPHONE, natyrisht që nuk mund të provojnë përtej cdo dyshimi, prezencën e këtij shtetasi në këtë mjet, gjatë kohës kur me të po transportohej lënda narkotike, sepse këto sende nuk janë të lidhura pazgjidhshmërisht me individin”, thotë Prokuroria, e cila vijon:.

“Këto të dhëna lejojnë disa interpretime, që nga dyshimi që i pandehuri Ariel Meçaj mund të jetë organizator apo ekzekutor në kryerjen e kësaj vepre penale, mund të ketë qenë në rolin e ndihmësit duke vënë në dispozicion këtë mjet në funksion të trafikimit të narkotikëve pa qenë fare prezent në mjet, e deri te dyshimi i mospasjes fare dijeni për kryerjen e kësaj vepre penale për shkak të dhënies apo lënies në përdorim të mjetit lundrues një personi tjetër. Por asnjë nga këto interpretime, me të dhënat e grumbulluara nga hetimi, i cili është i plotë, nuk e kalon barrierën e përtej çdo dyshimi, për shkak të mungesës së të dhënave direkte, siç mund të ishin kapje apo arrestim në flagrancë i autorit apo autorëve, deklarime direkte për implikim të tij, gjurmë papilare apo biologjike në pakot e lëndës narkotike, përgjime, etj”.

Nga të dhënat e tjera të hetimit, rezulton se Ariel Meçaj ka ardhur në Shqipëri 3 ditë pas sekuestrimit të skafit me 1.7 ton drogë. Në bazë të deklarimeve të bashkëshortes së tij, rezulton se Meçaj ka mbërritur në mënyrë ilegale në Shqipëri, pasi “i kishte humbur pasaporta dhe se nuk e dinte se ku i kishte humbur”. Bëhet fjalë për të njëjtën pasaportë, me të cilën ai udhëtoi drejt Greqisë në 31 janar 2017 dhe dy ditë më pas, në 2 shkurt 2017, u gjet në skafin e nisur nga Vlora me ngarkesë narkotikësh drejt Italisë dhe që u sekuestrua sërish në Vlorë, pas ndjekjes së kryer nga autoritetet italiane dhe greke.

Prokuroria për Krime të Rënda, në lehtësimin e akuzave për Ariel Meçaj, nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse pasaporta e Meçajt, me të cilën ai kishte udhëtuar vetëm dy ditë më parë drejt Greqisë, u gjet në skafin e ngarkuar me drogë.

Prokuroria për Krime të Rënda është mjaftuar me faktin që i dyshuari nuk është gjetur në skaf dhe për këtë arsye, ka vendosur të mos i konsiderojë asnjë prej provave të gjetura në skaf.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *