Tenderat/ Kujtim Qefalia ka fituar 3.5 miliardë lekë nga Qeveria në tre vjet

Nga Boldnews.al

Vitet e qeverisë së Partisë Socialiste kanë qenë një periudhë e artë edhe për fitimet e kompanisë “Dajti Park 2007”, pronari në hije i së cilës është Kujtim Qefalia, administratori i Njësisë Dajt dhe njëkohësisht vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

“Boldnews.al” ka konsultuar të dhënat e publikuara në portalin “opendata.al”, nga të cilat rezulton se “Dajti Park 2007” ka arkëtuar thuajse 3 miliardë e gjysëm lekë nga tenderat shtetërorë, gjatë periudhës 2015-2018.

Aktiviteti kryesor i kompanisë, nga të cilat ka fituar edhe multimilionat shtetërorë, është tregtimi i prodhimeve ushqimore. “Klienti” më i madh i kompanisë “Dajti Park 2007″ rezulton të jetë Qendra e Azilkërkuese, e ngritur në zonën e Babrrusë, pjesë e njësisë administrative Dajt, të drejtuar nga Kujtim Qefalia.

Klientë të tjerë të ‘Dajti Park 2007” janë edhe azili i pleqve në Tiranë, bashkia Durrës, Qendra e Trafikimit të Viktimave, e të tjerë. Në këto qendra gjenden një numër i lartë personash, ushqimi i të cilëve i është besuar kompanisë së drejtuar në hije nga Kujtim Qefalia, kundrejt arkëtimeve prej qindra milionë lekësh në favor të tij.

Krahas tenderave të ushqimit, “Dajti Park 2007” së fundmi është përfshirë edhe në aktivitetin e ndërtimit. Vetëm në 6 muajt e fundit, kjo kompani ka fituar rreth 500 milionë lekë (të vjetra) nga tenderat e Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e urës së Bastarit, si edhe për rikonstruksionin e shkollës së mesme të Surrelit, objekte të cilat gjithashtu gjenden në territorin e Njësisë Dajt, e cila drejtohet nga Kujtim Qefalia.

Siç ka raportuar edhe më parë “Boldnews.al”, kompania “Dajti Park 2007” është themeluar në vitin 1999, me pronar Kujtim Qefalia, fillimisht me emërtimin e familjes së tij, “Qefalia” shpk. Më tej, në vitin 2004, Kujtim Qefalia vendos t’i ndryshojë emrin shoqërisë, duke e quajtur “Vllaznimi” shpk.

Në vitin 2007, kohë kur Kujtim Qefalia ishte kryetar i Komunës Dajt, u detyrua të hiqte dorë nga kjo kompani, për shkak të ligjit “Për konfliktin e interesave…”. Ai ia kaloi kompaninë mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, Ylber Kalaja.

Pavarësisht se kompania “Vllaznimi” ndryshoi pronësinë, “Boldnews.al” solli fakte që dëshmonin se ky transaksion ishte fiktiv. ILDKPKI, në një kallëzim të vitit 2011 kundër Kujtim Qefaliajt për “fshehje pasurie”, konstatoi ndër të tjera se ai vijonte të merrte fitime nga shoqëria “Vllaznimi” edhe pasi ia kishte “dorëzuar” shtetasit Ylber Kalaja.

Kompania “Vllaznimi” mbajti këtë emër deri në korrik 2016. Në atë kohë, bazuar në një hetim të Prokurorisë për Krime të Rënda mbi tenderat në Drejorinë e Burgjeve, arrestohet, bashkë me persona të tjerë, edhe Ylber Kalaja. Dokumentat e publikuar më parë nga “Boldnews.al” dëshmuan se “pronari në letra”, Ylber Kalaja, gjatë kohës që ishte në qeli, i ndryshoi sërish emrin e kompanisë, duke e quajtur përfundimisht “Dajti Park 2007”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *