Ekskluzive/ Skafin e udhëtimeve në Mal të Zi me Tahirin, Orest Sota e shiti kur ishte ne burg

Nga Boldnews.al

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur prej kohësh dyshimet që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qenë pronari “në hije” i një skafi, vlera e të cilit shkon në disa qindra mijëra euro, me të cilin kryente udhëtime turistike jashtë Shqipërisë.

Ky dyshim i hetuesve shqiptarë është përforcuar ndjeshëm pas mbërritjes së letër-porosisë nga ana e autoriteteve të Malit të Zi. Në bazë të një kërkesë të Prokurorisë Shqiptare, autoritetet malazeze kanë sjellë informacion mbi shëtitjet turistike të kryera nga ish-ministri Tahiri, kryesisht gjatë verës së vitit 2017, personat me të cilët ka qenë i shoqëruar dhe vendet ku ka qëndruar.

Por, ndër të tjera, në këtë letër-porosi gjendet edhe një detaj, të cilin “Boldnews.al” e ka mësuar në mënyrë ekskluzive nga pjesëtarë të grupit hetimor. Autoritetet malazeze informojnë kolegët e tyre shqiptarë se Saimir Tahiri ka shëtitur në brigjet e Adriatikut, në zonën e Malit të Zi, me një skaf, i regjistruar në vendin e tyre, në emër të shtetasit shqiptar, Orest Sota.

Sota është personi, në mjetin e të cilit u gjetën në fillim të nëntorit 2017 mbi 850 mijë euro dhe patentat e skafit të Saimir Tahirit, si edhe dokumenta të bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm.

Ky skaf-thonë autoritetet malazeze, nuk është më në pronësi të Orest Sotës, pasi ai është shitur në datë 20 nëntor 2017 një personi tjetër. Pikërisht, data e shitjes së skafit të Orest Sotës ka nxitur dyshimet e prokurorëve shqiptarë të forcojnë dyshimet se mjeti lundrues, në fakt, vetëm formalisht ka qenë në pronësi të biznesmenit të ri. Për prokurorët, pronari i vërtetë i skafit duhet të ketë qenë dikush tjetër dhe, me shumë mundësi, i vetë Saimir Tahirit.

Grupi hetimor i bazon këto dyshime në disa elementë, të cilët nuk duket se janë edhe aq rastësor. Orest Sota u arrestua në Elbasan në 6 nëntor 2017. Gjykata e Elbasanit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, e cila u konfirmua në 14 nëntor e vitit të kaluar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda. Pra, Orest Sota, ditën që “ka shitur” skafin e tij në Mal të Zi, rezulton që ka qenë në ambjentet e paraburgimit në Tiranë.

Megjithatë, edhe pse i izoluar, Sota ka pasur mundësitë që këtë shitje ta realizonte nëpërmjet një përfaqësuesi. Por mbetet e paqartë dhe, madje e dyshimtë për hetuesit shqiptarë, që Orest Sota, në situatën ku gjendej, të mendonte për shitjen e skafit, me të cilin vetëm tre muaj më parë kishte udhëtuar me Saimir Tahiri në Mal të Zi.

Elementët dyshues për prokurorët vijojnë më tej. Saimir Tahiri, pasi i shpëtoi me votë politike në Parlament arrestimit, si i dyshuar për bashkëpunim me narkotrafikantët Habilaj, ndërmerr një udhëtim nga aeroporti i Rinasit, në datë 17 nëntor 2017. Në media u përhap lajmi se ai udhëtoi drejt Gjermanisë, pavarësisht se askush nuk arriti ta konfirmonte një fakt të tillë.

Televizioni Top Channel, në atë kohë, raportonte se Saimir Tahiri kishte dalë nga Shqipëria me një ish-vartësin e tij në Ministrinë e Brendshme. Ky informacion ishte shumë më i ndryshëm nga ai që u shpërnda nga njerëz pranë Tahirit, sipas të cilëve ai udhëtoi drejt Gjermanisë për arsye shëndetësore të një familjari të tij.

Udhëtimi i Tahirit ishte surprizë për shumë njerëz, përfshirë edhe avokatin e tij, i cili deklaroi në atë kohë në media se nuk kishte dijeni për udhëtimin e klientit të tij, “i cili mund të jetë udhëtim për arsye personale”.

Saimir Tahiri kthehet pas tre ditësh në Shqipëri. Kthimi i tij është pasqyruar edhe nga media, disa prej të cilave tentuan të merrnin një prononcim prej tij për arsyet e udhëtimit jashtë Shqipërisë në kohën kur ai ishte nën hetim për bashkëpunim me Habilajt.

Sipas kronikave të kohës, ai u kthye saktësisht mesnatën e datës 20 nëntor 2017. Pikërisht, në të njëjtën datë që autoritetet malazeze njoftojnë se skafi i Orest Sotës kishte ndryshuar pronësi.

Bazuar në këto të dhëna, prokurorët shqiptarë po synojnë të sigurojnë të dhëna të tjera, për të faktuar qëllimin e vizitës së Tahirit jashtë Shqipërisë në nëntor 2017, si edhe për të hedhur dritë mbi dyshimet e tyre nëse ky udhëtim lidhet apo jo me shitjen e skafit të Orest Sotës.

Elementët e parë që po vlerësohen nga prokurorët janë të dhënat e kontratës së shitjes së skafit për vendin e kryerjes së transaksionit dhe më pas për të provuar nëse Saimir Tahiri ka qenë në atë vend në kohën kur mjeti lundrues ka ndryshuar pronësinë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *