Multimilionat/ Kompania e Kujtim Qefalias, si ndryshoi emrin pas arrestimit të “pronarit në letra”

Nga Boldnews.al
*********************
Më shumë se dy vjet më parë, më 11 Korrik 2016, Prokuroria njoftoi arrestimin e zv.Drejtorit të Burgjeve në atë kohë, Iljaz Labi, si edhe të administratorëve të 4 kompanive private, të gjithë të akuzuar se kishin abuzuar me tenderat për ushqimet për të burgosurit. Një ndër personave të arrestuar ishte shtetasi Ylber Kalaja, administrator i kompanisë “Vllaznimi”.

Kjo kompani është krijuar në vitin 1999 nga shtetasi Kujtim Qefalia, fillimisht me emrin “Qefalia” shpk. Në vitin 2004, ai e ndryshon emrin e kompanisë, duke e qujtur “Vllaznimi”. Në vitin 2007, pasi u zgjodh kryetar i Komunës Dajt dhe u gjet në kushtet e konfliktit të interesave, Kujtim Qefalia ia “dorëzoi” formalisht kompaninë shtetasit Ylber Kalaja.

 

Pavarësisht se “de jure”, kompania “Vllaznimi” drejtohej nga Ylber Kalaja, personat përgjegjës për tenderat në Bashkinë e Tiranës të drejtuar në atë kohë nga Edi Rama, por edhe shumë njerëz të tjerë, e mbajtën në vemendje se “de facto”, pronari i vërtetë i saj ishte Kujtim Qefalia.

Kompania “Vllaznimi” mbajti këtë emër deri në Korrik 2016, kur, pas një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda për korrupsionin me tenderat e ushqimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, arrestohet, ndër të tjerë, edhe pronari “de jure”, Ylber Kalaja.

 

Ky i fundit, vetëm një javë pas arrestimit, në dt,19 Korrik 2016, në kohën kur gjendej ende në paraburgim, vendos të ndryshojë emrin e kompanisë, duke e quajtur “Dajti Park 2007”.

Në këtë mënyrë, vetëm me “veprimin e thjeshtë” të ndryshimit të emrit, kompania, e cila kishte në pranga pronarin, ishte e lirë që të vijonte aktivitetin e saj dhe pjesëmarrjen e fitimin e tenderave në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar tashmë nga Erjon Veliaj, por edhe në institucione të tjera, të drejtuara të gjitha nga zyrtarë të Partisë Socialiste.

Pavarësisht se Ylber Kalaja qëndroi për disa kohë i arrestuar, kompania me emrin e ri “Dajti Park 2007” nuk e ndjeu mungesën e tij. Dikush tjetër, ai që njihet si pronari i vërtetë i saj, u kujdes që kompania të fitonte tenderat, megjithë problemet ligjore të Ylber Kalasë.

Pasi qëndroi disa kohë në paraburgim, administratori “de jure” i “Dajti Park 2007”, Ylber Kalaja u lirua nga prangat dhe hetimi ndaj tij vijoi në gjendje të lirë.

Nga hetimi i Prokurorisë rezultoi se administratorët e 4 kompanive, mes të cilëve edhe Ylber Kalaja i “Vllaznimi” shpk (më pas, “Dajti Park 2007), takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakort për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentat e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata benin.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet gjithashtu se “administratorët e këtyre shoqërive paraprakisht përcaktonin edhe se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi. Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, përfitonin duke lidhur kontrata formale dhe jo formale me shoqëritë fituese dhe operonin në cilësinë e nënkontraktorit me njërën nga shoqëritë fituese”.

Në përfundim të hetimit dhe gjykimit për këtë rast, pak javë më parë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi përfundimisht shtetasin Ylber Kalaja me dy vjet e gjysëm burgim, me kusht, për veprën penale të “korrupsionit aktiv”.

Për më shumë se dy vjet, nga Korrikut 2016 deri në fund të vitit 2018, administratori i “Dajti Park 2007” ka qenë fillimisht i arrestuar, më tej në gjykim dhe përfundimisht i dënuar për veprën penale të “Korrupsionit”. Por, e gjithë kjo situatë nuk e ka penguar aspak kompaninë e tij që të marrë pjesë dhe të jetë fitues në tenderave publikë, me shifra multimilionëshe.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *