Nga Boldnews.al
Artan Hoxha, dekani i Fakultetit Juridik, Ekspert i Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi dhe një kritik i ashpër publik i sistemit aktual të drejtësisë, është i mendimit se “cedimet në standarte dhe procedurë” të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mund të cënojnë çështjet në Gjykatën e Strasburgut.
Gjatë një takimi, ku u publikua një raport vlerësimi mbi ecurinë e procesit të Vetingut, të hartuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike, juristi Hoxha u shpreh se “vendimet e KPK-së, për të mbyllur hetimet, bazuar vetëm në një kriter, janë të paragjykuara”, pasi ato dukeshin qartë që konkluzioni do të ishte shkarkimi nga detyra i gjyqtarëve apo prokurorëve. Këto vendime “të paragjykuara” mund të përbëjnë shkelje të procesit të rregullt ligjor, shkak për të cilat Gjykata e Strasburgut ka anuluar një numër të lartë vendimesh të gjykatave kombëtare.
Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” ka parashikuar se procesi i Vetingut kryhet bazuar në 3 kritere-ligjshmërinë e pasurisë; integritetin personal dhe aftësitë profesionale.
Në një pjesë të konsiderueshme të proceseve të zhvilluara deri më tani nga Komisioni i Vetingut, rezulton se ato janë përfunduar vetëm në bazë të një kriteri-kryesisht atë të pasurisë.
“Boldnews.al” ka identifikuar të paktën 11 raste gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët janë shkarkuar së fundmi nga detyra, bazuar vetëm në vlerësimin e një kriteri, nga ana e trupave “gjyqësore” të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Një pjesë e këtyre vendimeve, ato të cilat janë shqyrtuar deri më tani edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, janë lënë në fuqi, duke vendosur përfundimisht largimin e gjyqtarëve e prokurorëve nga sistemi i drejtësisë. Por, njëkohësisht, duke i dhënë mundësinë që, në rast ankimi pranë Gjykatës së Strasburgut, të gjithë emrat e mëposhtëm mund të rikthehen në detyrë, pikërisht për shkak të “gabimit procedurial”, atë të rivlerësimit vetëm me një kriter.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vendimin e tij të parë, shkarkoi nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Lulo u shkarkua përfundimisht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili vendosi lënien në fuqi të verdiktit të shkallës së parë të Vetingut.
Pas tij, lista vijon me gjyqtarë e prokurorë të të gjithë niveleve. Besa Nikëhasani, prokurore pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, u shkarkua vetëm në bazë të kriterit të pasurisë. Të njëjtin fat pati edhe Besim Trezhnjeva, gjyqtar në Apelin e Durrësit, kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nikëhasani dhe Trezhnjeva u shkarkuan përfundimisht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili nuk pranoi ankimin e tyre kundër vendimit të KPK për shkarkimin nga detyra.
Pas tyre, radha e shkarkimit nga detyra, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë, i takoi prokurorit të Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi, njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Edhe Kaloçi u largua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, bazuar në vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Artan Lazaj, gjyqtar i shkallës së parë, Tiranë, u shkarkua gjithashtu vetëm bazuar në kriterin e vlerësimit të pasurisë. Lazaj kishte dhënë kontributin e tij si ekspert gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi, por u rrëzua për shkak të zbatimit të ligjit për Vetingun nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai është në pritje të shqyrtimit të ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua gjithashtu pas vlerësimit të një komponenti të vetëm-atij të pastërtisë së figurës. Në seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ai parashtroi kërkesat e tij për shkeljet proceduriale nga ana e trupës “gjykuese”. Komisioni i Vetingut nuk ia mori në konsideratë dhe Selimi u largua nga seanca dëgjimore, duke lënë komisionerët të vijonin “ndeshjen” pa palë përballë. Shkëlzen Selimi është në pritje të shqyrtimit të ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Rovena Gashi, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Gashi është e vetmja, deri më tani, që refuzoi të paraqitej në seancën dëgjimore, pasi Komisioni i Vetingut nuk pranoi të shqyrtonte një seri kërkesash të saj. Prokurorja Gashi është gjithashtu e vetmja, deri më tani, që ka nisur procedurën pranë Gjykatës së Strasburgut, duke parashtruar argumentat për shkelje të rënda të procesit të rregullt ligjor, që lidhen si me procesin e Vetingut, ashtu edhe me vendimin e kryeprokurores së përkohshme për pezullimin e saj nga detyra gjatë kohës që gjendej nën procedurën e rivlerësimit. Edhe Gashi është në pritje të shqyrtimit të ankimit të saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Njëlloj me subjektet e mësipërm, janë shkarkuar nga detyra, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, prokurorët e Tiranës, njëkohësisht kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Arben Nela e Dritan Rreshka, si edhe gjyqtari i Apelit të Tiranës dhe njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Ervin Metalla.
Shkelja proceduriale e Komisionit të Vetingut, i cili ka vlerësuar subjektet bazuar në një kriter të vetëm, por jo vetëm kjo, mund të cënojnë të gjithë procesin e rivlerësimit. Juristi Artan Hoxha, këtë situatë e përmblodhi shkurtimisht: “Do të ishte mirë që anëtarët e institucioneve që kryenin rivlerësimin duhej të kualifikoheshin”. Ai tha gjithashtu se nuk duhej të “degradohej sistemi gjyqësor” dhe se duhej të parandaloheshin “absurditete nga entuziazmi”.