Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për grupin e 8 trafikantëve që u kapën me 580 kg hashash në Qafë Thanë, shpjegohen rolet e të dyshuarve, si dhe skema e trafikut të drogës që sigurohej në malësinë e Tepelenës.
Sipas organit të akuzës, trafikantët shqiptarë kishin bashkëpunim me persona të ndryshëm në Maqedoni, Greqi dhe Turqi. Ndërsa bëhej fjalë për shkëmbim malli, nga kanabis në heroinë. Sipas Prokurorisë, sasia e kanabisit që u sekuestrua nga Policia shqiptare do të kalonte me mjete lundruese në Maqedoni përmes liqenit të Ohrit, ndërsa destinacion final ishte Turqia. Aty do të këmbehej me heroinë, që sërish do të trafikohej nga i njëjti grup drejt vendit tonë.
Në dosje janë renditur disa nga bisedat e përgjuara, kryesisht mes organizatorit të trafikut, që dyshohet të jetë shtetasi Aranit Bida, dhe bashkëpunëtorëve të tjerë. Të arrestuarit kishin gjuhë të koduar mes njëri-tjetrit dhe përdornin fjalën mish në vend të marijuanës.
Në zonën e Krahës në Tepelenë, teksa lëviznin me mjetin “Porcshe” për të takuar një person me emrin Dori, është përgjuar biseda e Arben Cristeas (Tushes), i njohur si Viku dhe më pas ky i fundit që bisedon me Aranit Bidën, të cilit i thotë se do marrë 5 kile mish (dyshohet marijuanë).
Më datë 19 nëntor, Aranit Bida ka telefonuar me Gentian Rapollarin ku i thotë: “Hajdeni nesër në mëngjes dhe të jeni në orën 8 në Fier…”. Pas kësaj e pyet nëse erdhi ai shoku (dyshohet për Arjan Merkjan). Gentiani i përgjigjet se atë po pret (në Rinas). Më poshtë, dosja e plotë e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.
DOSJA E PLOTE E PROKURORISE SE KRIMEVE TE RENDA
Prokuroria për Krime të Rënda ka filluar procedim penal nr.190, të vitit 2018 në bazë të materialit referues nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Sektorin e Hetimeve pranë Drejtorisë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Hetimore Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë siguruar të dhëna për një grup kriminal që vepron në disa qytete, të cilët dyshohen për kryerje të veprës penale “Trafik i narkotikëve” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Ky grup dyshohet të jetë përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe kanabis sativa, me aktivitet në vendin tonë, Maqedoni, Greqi dhe Turqi dhe ka në përbërje të tij shtetasit me të dhënat e mposhte:
Aranit Bida, Suferim Dokollari, i arrestuar në flagrancë si i dyshuar për mbajtje të lëndëve narkotike dhe municionit, Arben Cristea (Tushe), Shkëlqim Hoxha, Edi Çela, Eris Dedej, Eduart Haxhi, Ilirian Prifti dhe Arjan Merkja. Dyshohet se shtetasi Aranit Bida siguron lëndë narkotike të llojit kanabis sativa nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij në Tepelenë dhe takimet që kryen me personat e paidentifikuar i kryen në Tepelenë, në lokalet të cilat administrohen prej tyre. Pas sigurimit të lëndës narkotike në Tepelenë, dyshohet se shtetasi Aranit Bida organizon transportin në aksin Tepelenë-Fier-Rrogozhinë-Elbasan, me destinacion Pogradecin, ku më pas lënda merret në dorëzim nga një person i quajtur Gjon. Pas kësaj, dyshohet se Gjoni bën të mundur dërgimin e ngarkesave nga Shqipëria për në Greqi dhe Maqedoni. Gjithashtu, dyshohet se transportin e lëndës narkotike në drejtim të Maqedonisë e kryen shtetasi Suferim Dokollari, transport të cilin e kryen me mjete lundruese nëpërmjet liqenit të Ohrit.
Dyshohet se Aranit Bida dhe bashkëpunëtorët e tij po grumbullojnë një sasi të konsiderueshme kanabis sativa, të cilën duan ta dërgojnë në Turqi, me qëllim për ta këmbyer me lëndë narkotike të llojit heroinë, lëndë e cila dyshohet të trafikohet nga Turqia për në Shqipëri. Për këtë arsye, ai së bashku me Eduart Haxhin kanë shkuar në Tepelenë për të parë një sasi kanabisi e për ta transportuar më pas drejt Elbasanit. Për këtë qëllim dyshohet se më datë 30.08.2018, ka ardhur në Shqipëri një shtetas turk përmes Kosovës. Dyshohet se marrëveshjen për shkëmbimin e lëndës narkotike me turqit e ndërmjetëson shtetasi Edi Çela (i njohur si Mondi), i cili mban kontakte të vazhdueshme me shtetasin turk (e thërrasin Abi).
Në kushtet e dyshimeve të arsyeshme se shtetasit e sipërpërmendur po përgatiteshin të kryenin veprën penale të trafikimit të narkotikëve, për të grumbulluar të dhëna të tjera të nevojshme lidhur me përcaktimin e plotë të faktit dhe veprës penale, si dhe për individualizimin e përgjegjësive penale të tyre apo të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm për kryerjen e veprës penale, duheshin kryer veprime të natyrës proaktive pas regjistrimit të procedimit penal. Si mjet i domosdoshëm për të siguruar prova në ngarkim të këtij grupi është dhe përgjimi i komunikimeve, ndaj lindi e nevojshme t’i drejtoheshim Gjykatës me kërkesën për autorizim për përgjimin e numrave të të gjithë të dyshuarve. Gjykata, me vendimet e saj, ka autorizuar përgjimin e numrave telefonikë si dhe ka autorizuar transkriptimin e tyre dhe shtyrjen e depozitimit të tyre në sekretari deri në përfundim të hetimeve të procedimit penal. Oficeri i Policisë Gjyqësore, në ndjekje të veprimeve procedurale, si transkriptimi i bisedave të përgjuara, por edhe të vëzhgimit dhe përgjimit të fshehtë të autorizuar nga prokurori, ka mbajtur nën vëzhgim personat e përfshirë, të cilët kanë siguruar një sasi të konsiderueshme kanabisi me qëllim trafikimin e saj. I dyshuari Eduart Haxhi ka kontaktuar me Aranit Bidën për sasinë dhe nëpërmjet një furgoni kanë marrë lëndën narkotike në Tepelenë dhe janë nisur së bashku edhe me të dyshuarin Arben Cristea drejt Pogradecit. Në drejtim të automjetit të ngarkuar me kanabis, ka qenë i dyshuari Erando Mehmeti. Më datë 19.11.2018, i dyshuari Aranit ka telefonuar të dyshuarin Gentian me numër +…087 ku i thotë: “Hajdeni nesër në mëngjes dhe të jeni në orën 8 në Fier…”. Pas kësaj e pyet nëse erdhi ai shoku (dyshohet për Arjanin). Genti i përgjigjet se atë po pret (në Rinas).
Sipas raporteve të vëzhgimit, datë 20.11.2018, në orën 12:17 janë ulur në bar kafe “Prada”, në rrugën “Skënderbeu”, të dyshuarit Aranit, Arben Cristea, Arjan Merkaj dhe Eduart Haxhi. Në orën 12:39, të dyshuarit Arjan dhe Eduart janë ngritur dhe kanë marrë makinën me targa AA 568 PO, “Toyota”, me ngjyrë të bardhë dhe kanë dalë nga qyteti i Fierit. Në orën 12:53, Arbeni ose (Viku) së bashku me Aranitin kanë dalë dhe kanë hipur në automjetin tip “Ford” me ngjyrë blu, me targa AA 982 SG në drejtim të qendrës së qytetit të Fierit. Nga përgjimet rezulton se Araniti ka biseduar me Nardin (Demiras) me numrin +… 315 ku e kanë lënë të takohen te karburant “Gjoni”, i cili dyshohet të ketë lënë mjetin “Audi” me një sasi lënde narkotike, sipas bisedave të Aranitit me përdoruesin e numrit telefonik +…021.
Nga përgjimet rezulton se Gjoni (Elvis Gjoni) i ka kërkuar Aranitit të respektojë kushëririn nga Korça (Andin), i cili është aty afër, ku pas saj Araniti lidhet me Dorin, ku ky i fundit i thotë të shkojë pa merak. Pas kësaj dyshohet se Andi me Vikun (Arben Cristea) të kenë lëvizur për në Krahës me mjetin “Porcshe” për të takuar përdoruesin e numrit +… 882 (Dori) dhe më pas bisedon Viku me Aranitin ku i thotë se do marrë 5 kile mish (dyshohet marijuanë). Në orën 15:58, në ambientet e jashtme të karburant “Gjoni”, në rrugën “Teodor II Muzaka”, konstatohet autovetura me targa AA 982 SG tip “Ford” me portobagazh, ngjyrë blu. Zbret personi i quajtur Viki dhe personi i quajtur Aranit ulen në të njëjtën tavolinë ku është ulur personi i quajtur Andi bashkë me një person të moshës rreth 45 vjeç, pa flokë, me mjekër. Në orën 03:40, në ambientet e jashtme të karburant “Renoil”, parkohet automjeti me targa AA 356 NA, tip furgon, ngjyrë e bardhë, me mbishkrimin “Transport Mallrash EUROPA”. Zbret një person i moshës rreth 25 vjeç, veshur me xhup ngjyrë të kuqe dhe futet në ambientet e brendshme të bar-kafe të këtij karburanti.
Nga përgjimet rezulton se Araniti ka biseduar edhe më parë me përdoruesin e numrin +… 141 (Erando Mehmeti), ku i kërkon të takohen te karburant “Renoil”. Në orën 04:00 parkohet automjeti me targa AA 982 SG, tip “Ford”, zbret personi i quajtur Viki dhe personi i quajtur Aranit. Në orën 04:02, personi i moshës rreth 25 vjeç, i veshur me xhup me ngjyrë të kuqe (Erando) del nga ambientet e brendshme të bar-kafe të karburantit “Renoil” dhe takon personin e quajtur Aranit dhe personin e quajtur Viki. Ata kanë lëvizur drejt Levanit e më pas në Poçem e në Krahës të Tepelenës. Në orën 06:28 është konstatuar ky furgon në dalje të Fierit, në drejtim të Lushnjës. Në orën 07:37, në afërsi të fshatit Pojan, Elbasan, konstatohet automjeti me targa AA 568 PO, tip “Toyota”, ngjyrë e bardhë, e cila i bashkohet në lëvizje automjetit me targa AA 356 NA, tip furgon, ngjyra e bardhë, me mbishkrimin “Transport mallrash EUROPO” dhe automjetit me targa AA 982 SG, tip “Ford” dhe vazhdojnë lëvizjen drejt Elbasanit. Nga përgjimet rezulton se ka biseduar me Tanin (Eduart Haxhin), ku Araniti i ka kërkuar të afrohet në Rrogozhinë. Në orën 08:09 janë konstatuar në dalje të qytetit të Librazhdit automjetet me targa AA 568 PO, tip “Toyota”, bashkë me automjetin me targa AA 365 NA, tip furgon, bashkë me automjetin me targa AA 982 SG, tip “Ford”. Në këto momente është realizuar ndërhyrja e Policisë, ku Eduart Haxhi ka tentuar të largohet me autoveturën “Toyota”, me targa AA 658 PO dhe Aranit Bida e Erando Mehmeti janë kapur brenda në lokal.
Pas këqyrjes së furgonit “Iveco”, me targa AA 356 NA, rezultoi se ai ishte i ngarkuar me shumë thasë plastikë me lëndë të dyshuar narkotike. Pas shoqërimit të tyre në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan janë numëruar thasët, të cilët janë 39 copë, me 547 paketime, të cilat u peshuan dhe rezultuan me peshën e përgjithshme 578.4 kg, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa. Në orën 15:33 është gjetur automjeti me targa AA 792 SM, tip “Porche”, e zezë, e parkuar në afërsi të banesës së shtetasit Elvis Gjona, në afërsi të Teatrit të Kukullave, Pogradec. Aty janë arrestuar të dy këta shtetas, si personat që kishin blerë sasinë prej 5 kg lëndë narkotike një ditë më parë. Meqenëse nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore janë zbatuar kushtet e parashikuara nga neni 251 i K. Pr. Penale, lidhur me arrestimin në flagrancë të shtetasve të dyshuar dhe aktet në ngarkim të tyre i janë përcjellë brenda afatit ligjor prokurorit, në bazë të nenit 258 të K. Pr. Penale, i drejtohemi Gjykatës me kërkesën për vlerësim të ligjshëm të këtyre arrestimeve. Nga ana tjetër ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se shtetasit e dyshuar kanë kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminale”.