Abuzimet te Tregu Ushqimor, ja bosët që u gjobitën 500 mijë € nga Autoriteti i Konkurencës

Nga Boldnews.al

Autoriteti i Konkurencës gjobiti pak ditë më parë me 500 mijë euro gjobë kompaninë “EKMA-Albania”, e cila zotëron tregun agro-ushqimor të Tiranës, për shkelje të pozitës dominuese në treg.

Autoriteti i Konkurencës, në vendimin nr. 572, dt. 22.11.2018, ka konstatuar një seri shkeljesh lidhur me kontratat e qerasë, të energjisë elektrike, ujit, etj, që kompania EKMA aplikon për tregtarët që operojnë në atë treg.

 Në përfundim të hetimit administrativ, Autoriteti i Konkurencës vendosi gjobitjen e kompanisë “Ekma” me 9.99 % të xhiros vjetore të vitit 2017, e cila llogaritet në rreth 500 mijë euro.

“Boldnews.al” shqyrtoi dokumentat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), në bazë të të cilave rezulton se kompania “EKMA-Albania” është e përbërë nga disa kompani, të drejtuara nga disa prej biznesmenëve më të fuqishëm shqiptarë.

“EKMA” është e përbërë nga bashkimi i kompanive “Anamark”, “Agromark” dhe shtetasi Haxhi Bardhi.

Kompania ‘Anamark” është në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, i cili është edhe administrator i shoqërisë që kontrollon Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës. Allajbeu njihet më së shumti për aktivitetin e tij në fushën spitalore. Ai është administrator i Spitalit Amerikan, i cili, pak muaj më parë, mori pronësinë e plotë edhe mbi spitalin “Hygeia”-Shqipëri.

Kompania “Agromark” kontrollohet në 100 përqind të aksioneve të saj nga “Vendeka Europian Investment B.V”, dega shqiptare e kompanisë turke “Vendeka Bilgi Ticaret”. Kjo kompani u bë e njohur kohë më parë, kur u përfshi në tenderin për koncensionin e rrugës Durrës-Kukës

Ortaku i tretë i kompanisë “EKMA-Albania” është biznesmeni Haxhi Bardhi. Emri i tij lidhet me disa kompani të fuqishme në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Bardhi është administratori dhe ortaku i vetëm i “Iliria International”, në pronësi të të cilës është edhe një prej hoteleve më të njohur në kryeqytet, i ndërtuar në Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu, sipas dokumentave të QKR-së, biznesmeni Haxhi Bardhi operon, ndër të tjera, edhe në transportin e mallrave dhe udhëtarëve në liqenin e Fierzës.

Kompania “EKMA” është krijuar në vitin 2009 nga një prej pjesëtarëve të biznesit “Iliria”. Në vitin 2014, ajo u vendos nën sekuestro. Pak muaj më pas, “EKMA-s” i bashkohet biznesmeni Klodian Allajbeu, ndërkohë që kompanisë i hiqet sekuestro dhe ajo ndërton Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Aktiviteti kryesor i kompanisë “EKMA” është dhënia me qera e ambjenteve për tregtarët e shumicës së prodhimeve bujqësore.

Autoriteti i Konkurencës, në përfundim të një monitorimi, ka konstatuar se “EKMA-Albania” abuzon me pozitën dominuese në treg, duke u imponuar qiramarrësve çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, si dhe duke i detyruar ata të pranojnë detyrime shtesë duke paguar një çmim më të lartë për energjinë elektrike dhe ujin nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE dhe UKT”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *