Marrëveshja e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian është miratuar nga udhëheqësit e BE-së, njoftoi Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në një postim në Twitter.

27 udhëheqësit dhanë mbështetjen e tyre pas diskutimit më pak se një orë në Bruksel.

Tusk sinjalizoi të shtunën se marrëveshja do të miratohej pasi Spanja tërhoqi shqetësimet e minutës së fundit në lidhje me Gjibraltarin.

Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i Britanisë, ku shumë deputetë janë kundra.

Aprovimi i Brexit vjen pas më shumë se 18 muajsh negociata mes dy palëve, që filluan kur Mbretëria e Bashkuar vendosi të dilte nga unioni pas referendumit të 2016-ës.

Britania do largohet nga BE më 29 mars 2019.

Parlamenti i Britanisë së Madhe pritet të votojë mbi marrëveshjen në fillim të dhjetorit, por miratimi i tij nuk është aspak i garantuar, pasi partitë Labour, Lib Dems, SNP, DUP dhe shumë deputetë të konservatorëve janë të vendosur që të votojnë kundër.

Kryeministrja Theresa May ka bërë thirrje për miratimin e marrëveshjes, duke argumentuar se është marrëveshja më e mirë që mund të arrihej.