Konkurrenca gjobit 500 mije euro kompaninë EKMA për abuzime me tregun agroushqimor

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka vendosur gjobë dhe detyrime ndaj ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, për abuzime  në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës. Krahas gjobës, Konkurrenca i ka vendosur dhe kushte të tjera EKMA për uljen e tarifave të qirasë afër kostos dhe rishikimin e kontratave të energjisë, duke e paralajmëruar për gjoba të tjera nëse nuk zbaton rekomandimet.

Vendimi u mor pas raportit mbi hetimin e thelluar ndaj ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës.

Gjoba e vendosur është sa 9.99% e xhiros vjetore të vitit 2017. Gjoba nuk bëhet e ditur, por në bazë të bilancit vjetor, EKMA ka raportuar rreth 500 milionë lekë të ardhura, apo gati 5 milionë dollarë, me një vlerë gjobe rreth 500 mijë dollarë. EKMA ishte kompania më fitimprurëse në vend në vitin 2017, me fitime gati 3.8 milionë dollarë dhe me një normë fitimi prej 76%, sipas një renditjeje të mëparshme të Monitor për kompanitë më fitimprurëse në vend. http://www.monitor.al/100-kompanite-fitimet-te-larta/

Sipas hetimit të thelluar të Konkurrencës ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK operon e vetme në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës, pra ka pozitë dominuese për sa i përket pjesëve të tregut;

– Ndërmarrja vendos çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, duke i detyruar tregtarët qiramarrës të paguajnë një çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE, si dhe UKT;

– Nëpërmjet “kontratës tip” të qirasë të aplikuar për qiramarrësit që operojnë në këtë treg Agro – Ushqimor, ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK vendos kushte diskriminuese dhe të padrejta tregtimi;

– Aplikon kontrata, të cilat përmbajnë kushte imponuese vetëm për njërën palë të kontratës – qiramarrësin, duke i bërë të pavlefshme kushtet e përgjithshme të këtyre kontratave, që sjellin një humbje ose dëmtim të shpërpjesëtuar të interesave të palës kontraktuese;

– Detyron qiramarrësin të negociojë muaj për muaj për çmimin e saj, duke krijuar paqëndrueshmëri financiare për qiramarrësin dhe duke e vendosur këtë të fundit në kushte të pafavorshme konkurrence, si dhe duke e detyruar të paguaj një garanci të vlefshme me pagesën e 2 muajve, pa u marrë përsipër, as edhe një gjë nga ana e qiradhënësit.

– Kjo ndërmarrje aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike;

– Çmimet e aplikuara i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë, prej 76.1%;

Kjo sjellje e ndërmarrjes me pozitë dominuese, “EKMA Albania” SHPK, duke u imponuar qiramarrësve çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, si dhe duke i detyruar ata të pranojnë detyrime shtesë duke paguar një çmim më të lartë për energjinë elektrike dhe ujin nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE dhe UKT përbën abuzim me pozitën dominuese kundrejt tregtarëve qiramarrës të ambienteve të kësaj ndërmarrjeje, thekson konkurrenca.

Masat

Krahas gjobës, Konkurrenca ka vendosur  detyrimin e ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK për të ndaluar shkeljen e konkurrencës dhe brenda 30 ditëve të marrë masat e nevojshme, si vijon:

  1. Hartimin e kontratave të qirasë bazuar në dispozitat e Kodit Civil (për kontratën e qirasë) për të vendosur palët e saj, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të barabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare.
  2. Qiradhënësi të aplikojë çmime të arsyeshme të orientuara drejt kostos dhe çmimit mesatar të qirasë të zonës gjeografike.
  3. Qiradhënësi të jetë transparent në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit.
  4. Ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK të ndalojë menjëherë faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (faturuar nga OSHEE dhe UKT).

Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në pikën III të këtij Vendimi, ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa (c) të Ligjit Nr. 9121/2003.

  1. Në rast se ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK nuk ndërpret shkeljen e nenit 9 të Ligjit Nr. 9121/2003 dhe nuk vepron në përputhje me detyrimet dhe brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës, derisa ndërmarrja EKMA Albania SHPK të veprojë në përputhje me këtë vendim.
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *