Mediat në Kosovë nuk i pritën mirë deklarata e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, i cili u pozicionua kundër vendosjes së taksës 100% më të lartë për produktet serbe.
Ahmetaj nuk e mbështeti Kosovën, ndërsa reagimet ishin të shumta ndaj ministrit të Ramës. Në këto kushte, Ahmetaj ka fshirë postimin lidhur me këtë takim.
“Një takim shumë miqësor sot me Ministrin e Financave të Republikës së Serbisë Sinisa Mali. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe reduktimi i barrierave për lehtësimin e tregtisë është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Shqipëria dhe Serbia mund të japin shëmbullin e mirë të bashkëpunimit ekonomik e politik, që do të avancohet me të gjithë vendet e rajonit”, shkruante Ahmetaj.
Por, pas kritikave të shumta, Ahmetaj e ka fshirë këtë postim. Gazetari i njohur në Kosovë, Berat Buzhala reagon pas këtij reagimi të Ahmetajt, i cili thotë se ndonëse postimin e ka fshirë, ai nuk e shlyen dot shijen e hidhur që la pas këtij qëndrimi.
“Me një pjesë të Shqipërisë, kurrë nuk kemi me mujt me u kuptu qysh duhet. Kjo nuk do të thotë assesi që nuk duhet me provu me u kuptu. Arben Ahmetaj shlyen postimin, ama nuk mundet me e shly shijen e hidhur të postimit. Problemi është që ky vazhdon me qenë i habitun me reagimin e ashpër. E edhe na vazhdojmë me qenë të habitun, pse ky është i habitun”, shkruan në rrjetet sociale Buzhala.