Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për grupin e 8 trafikantëve që u kapën me 580 kg hashash në Qafë Thanë shpjegohen rolet e të dyshuarve si dhe skema e trafikut të drogës që sigurohej në malësinë e Tepelenës.
Sipas organit të akuzës, trafikantët shqiptarë bashkëpunonin me trafikantë të tjerë në Maqedoni, Greqi dhe Turqi dhe bëhet fjalë për shkëmbim malli, nga kanabis në heroinë.
Dyshohet se sasia e drogës që u kap në furgon do kalonte përmes liqenit të Ohrit në Maqedoni dhe destinacioni final ishte Turqia, ku do të këmbehej me heroinë. Në dosje janë renditur disa nga përgjimet mes organizatorit të trafikut, që dyshohet të jetë Aranit Bida, dhe bashkëpunëtorëve të tjerë.
Ata përdornin gjuhë të koduar dhe përdornin fjalën mish në vend të fjalës marijuanë.
Ndërsa do të takonin një person me emrin Dori, është përgjuar biseda e Arben Tushes, i njohur si Viku me Aranit Bidën, ku i thonë: Do marr 5 kg mish.
Më 19 nëntor, Bida ka telefonuar Gentian Rapollarin ku i thotë: Hajdeni nesër në mëngjes dhe të jeni në orën 8 në Fier.
Zbardhur nga gazeta Panorama