Nga Boldnews.al
Ish-Drejtori i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, u lirua të Premten, pasi prokuroria nuk arriti të sigurojë prova për përfshirjen e tij në korrupsion, pavarësisht operacionit me nota spektakolare të zhvilluara pak javë pas marrjes së detyrës nga Arta Marku si Kryeprokurore të Përkohshme.
Dashamir Xhika u arrestua në fillim të Shkurtit 2018, në bazë të hetimeve paralele të dy prokurorive. Fillimisht ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, së bashku me një prej paraardhësve të tij, Andi Toma, si edhe biznesmenët Agron e Kujtim Hysa, të gjithë të dyshuar për abuzime në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar.
Një ditë më pas, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi arrestimin e Xhikës, në kuadër të hetimit për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan. Në atë kohë, këto arrestime u proklamuan nga qeveria si “efekte të Reformës në Drejtësi”, si edhe Arta Markut i dhanë notat e një “heroine shqiptare”.
Por, përtej efektit propagandistik të momentit, të dy këto hetime rezultuan fiasko. Fillimisht, Prokuroria e Elbasanit u rrëzua nga gjykata, kur kërkoi gjykimin e administratorëve të kompanisë “Vëllezërit Hysa”. Për Agron dhe Kujtim Hysën, të cilët fillimisht u arrestuan me urdhër të prokurores Armanda Xhaferri, në kuadër të hetimit për “Elbasan-Gjinar”, gjykata konkludoi se nuk kishin konsumuar asnjë element të veprës penale dhe për këtë arsye vendimi pushimin e gjykimit.
Ndërkohë, që hetimi në Elbasan po dështonte, Xhika vijonte të mbahej nën arrest për llogari të Krimeve të Rënda, ku dyshohej për “korrupsion” në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Por, pas rreth 10 muajsh, prokuroria e drejtuar nga Donika Prela konkludoi se akuza e korrupsionit nuk qëndron. Ky vendim i Prokurorisë i ktheu lirinë Dashamir Xhikës, të vetmit “peshk të madh” në radhët e zyrtarëve që ishte pas hekurave.