Rama mburret pse dërgoi policen në Stamboll, por padashur zbuloi se diçka nuk shkon me shëndetësinë në Shqipëri

Policja e plagosur Ina Muka, mbrëmjen e kaluar u nis drejt Stambollit për të marrë një mjekim më të specializuar, pasi humbi dy gishtat e dorës si pasojë e një kapsolle të hedhur gjatë protestës para Parlamentit.

Kryeministri Rama ia premtoi publikisht se do e dërgonte në Stamboll për mjekim më të specializuar dhe e mbajti fjalën, duke e promovuar fort këtë rast përmes rrjeteve sociale edhe përmes videove.

“Ina është një vajzë fantastike, që i përballon me buzëqeshjen e njeriut superkurajoz pasojat e krimit brutal mbi të. Në Policinë e Shtetit ajo s’ka hyrë për të bërë një punë, po për një pasion të ushqyer me nota të larta në shkollë, e me stërvitje të përditshme në vijim Sapo i thashë se gjithçka po bëhet gati për një operacion të gjatë e të vështirë në Stamboll dhe do ta nisim nesër. Më kërkoi t’i premtoj se kur të rimarrë kontrollin mbi duart, do të bëjmë një ndeshje. Patjetër Ina, të shkuara dhe krenar për ty”, shkruante Rama dje krahas videos së Inës në spital.

Por padashur kryeministri Rama këtu ka pranuar gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia shqiptare. Në këtë moment lindin disa pyetje, të cilave kryeministri Rama e ka për detyrë të kthejë një përgjigje para popullit që e ka votuar dy herë.

Nëse këtu në Shqipëri, spitalet publike ose private e mundësojnë këtë shërbim, pse policja duhej dërguar në Stamboll? Mos ndoshta sepse mjekët shqiptarë janë larguar dhe po largohen, sikurse raportohet në media? Apo thjesht nuk janë të specializuar aq sa duhet, sepse Shqipëria nuk ia ofron këtë mundësi? Apo thjesht e kanë fajin pajisjet e spitaleve në Shqipëri? Mos Reforma në Shëndetësi nuk ka arritur të sjellë standardin e duhur në spitalet shqiptare?

Shkurt, Rama duhet të përgjigjet para shqiptarëve se “çfarë nuk shkon me spitalet tona, që Ina Muka duhej të dërgohej në Stamboll?”./Hashtag.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here