Kategoria Superiore u rikthye dje me sfidën e parë të javës së 14, atë të luajtur në Vlorë mes Flamurtarit dhe Partizanit, që përfundoi me rezultatin 1-0 për kuqezinjtë e Duros.
Vendasit vijnë pas një periudhe shumë të vështirë, ku ndonëse janë paraqitur mirë në fushë, në 6 javët e fundit kanë marrë vetëm dy pikë dhe numërojnë plot 4 humbje.
Trajneri Ardian Mema, i cili drejton bardheblutë prej 5 javësh, nuk e ka provuar ende shijen e 3-pikëshit, gjë që do të synojë ta bëjë sot, ndonëse sfida do të luhet pa përkrahjen e tifozërisë, për shkak të pezullimit nga Komisioni i Disiplinës.
Nga ana tjetër, korçarët do të vijnë në kryeqytet me objektivin e vetëm, fitoren, për të shfrytëzuar hapin fals të Partizanit dhe për t’u rikthyer në krye të renditjes.
Një tjetër sfidë interesante do të zhvillohet në orën 17:00 në stadiumin e rinovuar tashmë, “Niko Dovana” të Durrësit, ku Teuta vendase do të presë Luftëtarin e Gjirokastrës.
Skuadra e drejtuar nga Blendi Shkëmbi ka krijuar nëj vazhdimësi në rezultate dhe mban me meritë vendin e tretë të renditjes, në kuotën e 22 pikëve, ndërsa sot do të kërkojë suksesin e radhës, për të nisur shkëputjen nga ndjekësit.
Nga ana tjetër, gjirokastritët e drejtuar nga Gentian Mezani, kanë kaluar periudhën e errët të fillim-sezonit dhe po përpiqen që t’i largohen sa më shumë zonës së ftohtë të renditjes.