Detaje te reja nga atentati me minë të telekomanduar ndaj biznesmenit, i cili dëmtohet rëndë në gjymtyrë. Qytetit të Vlorës i janë rikthyer sërish ngjarjet kriminale dhe mafioze.
Shënjestër e atentatit me tritol të shpërthyer me telekomandim në distancë ishte Agron Alushi. 48-vjeçari rezulton pronar i një guroreje në Drashovicë dhe biznesmen në fushën e ndërtimit. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:35 në rrugën “Transballkanike”, në momentin kur biznesmeni sapo kishte hipur në makinën e tij tip “Benz”.
“Rreth orës 16:35, në hyrje të Vlorës, pranë një karburanti ka shpërthyer në ecje automjeti i markës ‘Benz’. Si pasojë e shpërthimit, ka mbetur i dëmtuar shtetasi A.A, 48 vjeç, i cili ndodhet në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, bën të ditur Policia. Nga shpërthimi i tritolit, 48-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda në të gjithë trupin, por më të prekura janë dy gjymtyrët e poshtme të tij.
Nisur nga ky fakt, Policia dyshon se lënda eksplozive ishte vendosur brenda automjetit të biznesmenit. Këtë gjë e dëshmon edhe këqyrja e automjetit, që nuk ka pësuar dëmtime në pjesë të jashtme të tij, pasi shpërthimi ka ndodhur në kabinën e makinës. Pak minuta pas shpërthimit, biznesmeni u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Mjekët bëjnë të ditur se, Agron Alushi ndodhet në reanimacion me dëmtime të marra në gjymtyrë dhe në fytyrë. Ai pritet të transportohet sot drejt Tiranës. Lidhur me shpërthimin e telekomanduar, Policia dyshon se vendosja e tritolit është kryer në momentin që biznesmeni ka lënë automjetin në lavazh për ta larë.