“S’keni parë gjë akoma”, projekti i Unazës së Madhe shemb edhe 1 mijë banesa të tjera

Të paktën 317 banesa preken nga projekti i Unazës së Madhe, projekt që kalon nga zona e “Astirit” dhe vijon më tej, gjë që ka sjellë pakënaqësinë e banorëve të cilët shprehen se nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë dëmshpërblim në vlerë 100% të pronës së tyre.

Në të tillë situatë ata vijojnë të protestojnë prej më shumë se 20 ditësh, ndërsa një ditë më parë protesta e tyre e zhvendosur para Kuvendit të Shqipërisë, agravoi në përplasje të dhunshme mes tyre dhe policisë, duke shkaktuar disa të plagosur si në radhët e policisë ashtu edhe në ato të protestuesve, ndërsa u shoqëruan 11 persona.

Por projekti i “Unazës së Madhe” nuk prek vetëm këto 317 banesa. Në fakt tenderimi ka përfunduar vetëm për pjesën nda fabrika e miellit tek sheshi “Shqiponja”, por projekti vijon edhe më tej, duke u shtrirë në zonën e njohur si “ish-AMC”.

Qeveria, ARRSH, Bashkia Tiranë, ALUIZNI dhe të gjitha instancat shtetërore të përfshira në këtë projekt, janë mbyllur hermetikisht, duke mos lënë asnjë shteg informacioni zyrtar se çfarë ndodh me vijimin e këtij projekti pas “ish-sheshit shqiponja”, shkruan Syri.net.

Burime pranë zyrave të ALUIZNIT e kanë konfirmuar faktin se nëse në shtratin e Unazës janë parashikuar sipas ARRSH 317 banesa për t`u shembur, vijimi i projektit të Unazës së Madhe nga “Sheshi Shqiponja” e që lidhet me “Lumin e Tiranës” do bëjë të mundur shembjen e 1 mijë banesave të tjera. Po ashtu banesa do të shemben edhe nga projekti i rijetësimit të hekurudhës.

Të njëjtat burime shprehen në mënyrë konfidenciale se nuk e bëjnë publike njëherësh të gjithë hartën e banesave që do të shemben, pasi i druhen një lufte të vogël civile.

Për më shumë shihni hartën e mëposhtme, e cila tregon edhe banesat e tjera që sipas projektit do të shemben.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *