Policia shpall në kërkim ‘shëruesin’ Shefqet, ja pse akuzohet dhe sa vjet burg rrezikon

Policia e Lezhës ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe po punon për kapjen e shtetasit Sh. S., vjeç 55, banues në fshatin Pllan, të njohur si “shëruesi” Shefqet. Shpallja e tij në kërkim u bë pasi emisioni “Stop” në TV Klan, ka transmetuar pamje që e implikojnë në aktivitetin e ngacmimit seksual dhe të mashtrimit.

Disa net më parë, emisioni “Stop” publikoi pamje se si “shëruesi” Shefqet prekte burrat nga pjesët intime, duke pretenduar se çdo problem ai e zgjidhte përmes forcës së tyre seksuale. Pavarësisht nga objekti i ankesave të qytetarëve, synimi i tij është, që meshkujt të jenë të shëndetshëm dhe potentë seksualisht. Madje për këtë qëllim, nuk mungojnë as “ushtrimet demonstrative” me të gjithë ata që i drejtohen.

Ndërsa vajzave e grave ai u jepte këshilla në copa të vogla letrash me shkrime të pretenduara në gjuhën arabe, për të zgjidhur çdo hall.

Komisariati i Policisë Lezhë

Më datë 22. 11. 2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe po punohet për kapjen e shtetasit Sh. S., vjeç 55, banues në fshatin Pllan, pasi emisioni “STOP” në Tv Klan, ka transmetuar pamje që e implikojnë në aktivitetin e ngacmimit seksual dhe të mashtrimit. Nenet 108/a e 143 i Kodit Penal.

Neni 108/a

Ngacmimi seksual

(Shtuar neni 108/a me ligjin nr. 144/2013, datë 02. 05. 2013)

Kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi, me çdo mjet ose formë, duke krijuar një mjedis kërcënues, armiqësor, degradues, poshtërues ose ofendues, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër  fëmijëve, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Neni 143

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001; ndryshuar me ligjin nr. 36/2017, datë 30. 03. 2017)

Përvetësimi i pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vete ose persona të tjerë, përbën veprën

penale të mashtrimit dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Kur vepra, ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *