Duke nisur nga vitit i ardhshëm, qeveria do të ndryshojë ligjin për ndihmën ekonomike. Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm për shëndetësinë, kryeministri Edi Rama, u ndal në rastet ku pjesëtarë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas tij, refuzojnë punën që ju ofrohet.
Skema aktuale parashikon që në momentin që një familjeje që merr ndihmë ekonomike, i ofrohet një vend pune, ka të drejtë ta refuzojë një herë, ndërsa refuzimi i dytë e nxjerr nga ndihma ekonomike për një muaj.
Me ndryshimet që pritet të bëhen vitin e ardhshëm, Rama tha se kush refuzon punën nuk do t’i jepet ndihma ekonomike deri në fund të vitit.
“Nëse do të refuzosh punën do refuzohesh nga ndihma ekonomike deri në fund të vitit. Kështu është ajo që ndodh në vendet e tjera, kështu është ajo që do ndodh dhe këtu”, tha Rama.
Kjo nisëm e qeverisë vjen pak kohë pasi u ndryshua skema e ndihmës ekonomike e cila la jashtë trajtimit me ndihmë jo pak familje në të gjithë vendin. Vendimi në fjalë, vjen gjithashtu në momentin kur kryeministri ka marrë rolin bamirësit, ku është shfaqur në disa familje në nevojë të cilave ju ka premtuar rindërtim të banesës si dhe punësim të familjarëve.