Trajneri Kristian Panuçi është shprehur i kënaqur me fitoren e kuqezinjve kundër Uellsit, teksa goli i vetëm u shënua nga sulmuesi Balaj me penallti në pjesën e dytë.
Për mikrofonin e ‘Supersport’, tekniku u shpreh se është gati për kualifikueset e kampionatit europian.
“Më në fund, po, është fjala e duhur. Skuadra gjeti shpirtin e duhur, dhe arrin në një fitore. Më në fund skuadra arriti të fitonte, vuajtëm, por në fund arritëm fitore. Edhe pse, Uellsi kërkoi që të na barazonte, si çdo skuadër që hyn për fitore. Por, kjo nuk do të thotë që ndalojmë me kaq. Do përgatitemi, të vazhdojmë përpara për kualifikimin në Europian”, sqaroi italiani, duke shtuar se ka pasur një takim me presidentin Duka para ndeshjes.
“Jemi takuar disa minuta para takimit. Më ka thënë diçka që është private mes nesh. Dhe i jam felenderues për çka më ka thënë. Ajo që është më e rëndësishme për mua është të dija që skuadra ishte gati. Skuadra sot ia doli”, përfundoi 45-vjeçari.
Shqipëria u rendit në vendin e fundit në Grupin 1 të Ligës së kombeve me vetëm 3 pikë.