Pacolli: Kosova, të martën bëhet anëtare e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh optimist se Kosova nga nesër do të jetë anëtare e organizatës policore ndërkombëtare – INTERPOL.

“Vota pro është votë e merituar për Kosovën si shtet që është duke u konsoliduar çdo ditë; të qenët në organizatën e INTERPOL-it është jashtëzakonisht me rëndësi për Kosovën dhe konsideroj se është ndoshta ngjarja më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë”, tha Pacolli.

Ai i bëri këto komente në Dubai, ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjihtshme e INTERPOL-it.

Aty pritet që nesër të votohet edhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Ne kemi informata se Kosova është në një pozicion shumë të mirë. Shpresoj që të mos ketë surpriza negative. Nesër, Kosova, që nga ora 11:00, sipas kohës lokale, do te jetë anëtare e INTERPOL-it. Shumë shtete e kanë premtuar votën, por votimi është i fshehtë”, tha Pacolli.

Për anëtarësim në INTERPOL, Kosovës i duhen dy të tretat e votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Kërkesën e parë për anëtarësim, Kosova e kishte paraqitur në vitin 2010, kurse të dytën më 2015 dhe në të dyja rastet nuk arriti të hyjë në agjendë për votim.

Më 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për shkak që nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme “për”./REL/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here