Lista e kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese pritet që të jetë edhe më e diskutuara në shortin që do të hidhet nga Presidenti për caktimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë, dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga gjykatat e Apelit, dy prokurorë nga zyrat e Prokurorisë pranë gjykatave të Apelit, një gjyqtar nga gjykatat Administrative”.
Rrjedhimisht, të dy anëtarët e mbetur në Kushtetuese do të jenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Konkretisht, është kryetari i kësaj gjykate, Bashkim Dedja, dhe anëtarja tjetër Vitore Tusha. Tek emri i anëtares Tusha çështja pritet që të krijojë polemika.
Kjo, pasi gjyqtarja Tusha është propozuar nga Presidenti Meta për të marrë drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nëse kjo merr mbështetjen e maxhorancës, KED-i nis funksionimin e saj me një vakancë.