Nga Boldnews.al
Mbrëmjen e së Mërkurës, Top Channel fshiu çdo lloj skrupulli profesional dhe organizoi një emision vetëm për të goditur, për qëllime personale, Shkëlzen Selimin, gjyqtar I Gjykatës së Lartë, aktualisht i pezulluar nga Komisioni i Vetingut dhe në pritje të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në emisionin “Top Story”, Top Channel publikoi shkeljet e konstatuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për disa gjyqtarë e prokurorë, të shkarkuar tashmë nga shkalla e parë e Vetingut. Emisioni, i cili paraqiste vetëm faktet e KPK-së, por asnjë prej argumentave mbrojtës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk dëshmonte asnjë sinjal balancimi gazetaresk. Ai ishte formatuar në mënyrë të tillë, që publikut t’i përcillte sulmin e tij ndaj gjyqtarit Shkëlzen Selimi.
“Boldnews.al” ka raportuar edhe më parë për një seri kronikash shantazhuese të Top Channel ndaj gjyqtarit Selimi. Fillesa e këtyre kronikave sulmuese lidhet me një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë për pronësinë e televizionit, ku palë kundërshtare janë administratorja aktuale e Top Channel, Vjollca Hoxha, përballë dy aksionerëve të shumicës, Albert Sino dhe Aurel Baçi.
Procesi gjyqësor ndërmjet palëve aktualisht ka mbetur pezull, pasi dy nga tre gjyqtarët e lartë të trupës, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci, janë të pezulluar, pas vendimit të Komisionit të Vetingut. Por, Top Channel, prej dy muajsh, për shkak të interesave të saj, ka mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj këtyre dy gjyqtarëve-Artan Broci ka qenë “i përkëdhelur” nga ky television, ndërsa Shkëlzen Selimi ka qenë nën furinë e pushtetit mediatik, i cili drejtohet momentalisht nga Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi, si drejtor i përgjithshëm.
Nën këtë frymë ishte organizuar edhe emisioni “Top Story” i mbrëmjes së të Mërkurës. Nën petkun e interesit publik, Top Channel prezantoi shkeljet e 4 gjyqtarëve të lartë dhe të një prokurori. Pjesa më e madhe e minutazhit të emisionit u përqëndrua tek “shkeljet” e gjyqtarit Shkëlzen Selimi. Trajtimi televiziv i gjyqtarit, i cili ka ankimuar vendimin e shkarkimit nga detyra të marrë nga KPK, është një goditje e fortë ndaj tij, e cila, me shumë mundësi, mund të ndikojë edhe në vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Top Channel nuk “u mjaftua” vetëm me analizën financiare që i kishte bërë pasurisë së Shkëlzen Selimit. Për këtë gjyqtar, televizioni kishte “rezervuar” edhe një surprizë-një sulm familjarisht. Në emission u prezantuan edhe “fakte”, të cilat godisnin bashkëshorten e tij, gjithashtu gjyqtare. Televizioni kishte intervistuar një person, i cili kishte qenë palë në një proces të gjyqtares Rilinda Selimi dhe që kishte kundërshtime për mënyrën e përfundimit të atij procesi ligjor.
Natyrisht, në një proces civil janë gjithnjë dy palë, njëra prej të cilave do të dali e humbur dhe e mërzitur. Por, televizioni, si subjekt mbi palët, ka detyrimin moral dhe ligjor për të prezantuar provat e plota e më pas është publiku që e vendos. Në rastin konkret, Top Channel e mori vetë rolin e “gjyqtarit publik”. Këtë qasje e aplikoi vetëm për gjyqtarin Shkëlzen Selimi dhe bashkëshorten e tij.
Në listën e gjyqtarëve, të cilët u prezantuan në “Top Story” mungonte, në mënyrë aspak surprizuese, emri i anëtarit tjetër të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, gjithashtu i shkarkuar nga shkalla e parë e Vetingut dhe po gjithashtu në pritje të shqyrtimit të ankimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.