Nga Boldnews.al
Teksa Lali Eri vriste mendjen në Bashki se cila do ishte kronika propagandistike e radhës për të, disa qytetarë “rrethuan” godinën dhe kërkun takim saqarues për prishjen e mbi 300 shtëpive pranë Unazës së Re në Tiranë. Lali nuk pret hallexhi, ai merret me piar, marketing-politikë, ngul e shkul ndonjë pemë në liqenin artificial dhe nuk ka kohë të merret me problemet e vërteta të kryeqytetit.
Arroganca e tij në raste të tilla nuk është sulmi, por injorimi, politizimi dhe mllefi kundrejt banorëve që protestojnë për ekzistencën, jetën, mundin dhe investimin 25-vjeçar që kanë hedhur në ndërtimin e banesave.
Për çështjen e dëmshpërblimit të mbi 300 familjeve, Lali Eri nuk ka kohë të merret, ai është fshehur edhe pasi qindra qytetarë që preken drejtëpërdrejtë me prishjen e shtëpive kërkuan takim pas një proteste një orëshe. Takimi nuk erdhi, Lali Eri u fsheh për të shmangur përballejn e vërtetë, atë që çdo ditë kalojnë qytetarët e Tiranës.
Për projektin e ri të Unazës së Re u mblodhën një javë më parë lloj e sorollop zyrtarësh nga bashkia, qeveria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Floën e çfarë nuk thanë për këtë “ide fantastike” (sikurse e quan Lali Eri zgjerimin e unazës së madhe), por vetëm pak fjalë u thanë për dëmshpërblimin e banorëve që u prishen shtëpitë nga ky projekt.
“Nga verifikimi paraprak na del në total se për 5 lotet (2 lote në segmentin Fusha e Helikopterëve (Farkë) deri në Shkozë- Materniteti i Ri dhe 3 lote rikualifikimi nga Shkolla Teknologjike deri tek Sheshi Shqiponja) janë 317 objekte. Prej tyre, 163 janë në procesin e legalizimit por do duhet të skualifikohen nga ALUIZNI. Me vërtetim pronësie janë 123 objekte, 22 janë të skualifikuara tashmë, 4 objekte të trajtuara me VKM Nr. 442 ndërsa për 5 objekte nuk ka informacion ende pasi nuk ka patur banorë ose nuk kanë dashur të japin informacion”-tha një javë më parë kreu i ARRSH-së Afrim Qendro.
Padrejtësia e madhe që po u bëhet këtyre banorëve është skualifikimi i menjëhershëm të atyre banesave që janë në proces legalizimi. Nuk do të përfitojnë legalizim, e si pasojë nuk futen në listën e dëmshpërblimeve.
Po cila është zgjidhja që Bashkia Tiranë jep për banorët që do shohin rrënimin e shtëpive të tyre? Këtë përgjigje e dha nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbi Mazniku (që edhe ai në llojin e tij është një ‘gjysëm prerje’ e Lali Erit). “Të gjithë ato familje të cilat janë në proces legalizimi dhe do të duhen të skualifikohen si rrjedhojë e këtij projekti nga legalizimi, Bashkia Tiranë do ti trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë. Do ti trajtojmë me një procedurë të posaçme për bonusin e qerasë në mënyrë që të kemi mundësi ti kalojmë me procedurë më të shpejtë, të mos kenë të gjitha dokumentet që duhen për procedura e bonusit të qerasë dhe të aprovohen sa më shpejt në Këshillin Bashkiak, që të kenë mundësi që automatikisht të përfitojnë bonusin e qerasë për një periudhë të paktën 1 vjeçare por që ka mundësi që edhe të rinovohet më pas, sa të gjejnë mundësinë që të menaxhohen në banesa të reja”-deklaroi ai një javë më parë.
Një zgjidhje qesharake, të prishin banesën dhe bashkia ofron qira për një vit, më pas të shohin çfarë zgjidhje do të japing. Investimi rrugor në këtë zonë është mëse I nevojshëm pasi do ulte ndjeshëm trafikun e rënduar, por më parë se të mendohet për një projektkërkohet duhet të kalojë dëmshpërblimi për shtëpitë që prishen.
Situata ka degraduar me protesta masive të banorëve që në ditën e pestë radhazi bllokuan rrugën dhe të shqetësuar deklarojnë se nuk do të largohen pa iu marrë jeta.
Nuk trajtohen të gjithë njësoj. Kushdo që pati një mik në Rilindje, mundi që të siguronte certifikatë pronësie. Gjithkush tjetër që pagoi nën dorë, vetëm me një “klik siguroi një mik”, që gjithashtu iu dha certifikatën e pronësisë. Të tjerët që nuk paten krehët e ngrohtë të Rilindjes do shohin si fadromat kthejnë në gërmëdhë shtëpitë dhe do të dalin në rrugë të madhe, diku të strukur në ndonjë apartament me qira.
Dhuna qeveritare po shtrihet edhe me atë bashkiake që është enti kryesor që përballet me fenomenin e rëndë social. Për mbi 300 familje tragjedia ka kohë që po shkruhet nga fadromat e bashkisë që shembin banesa nga makutëria e grabitjes. Fundja Lali Eri do të dalë sërish, në perurime, inagurime e me dhjetëra kronika televizive në momentin që kjo rrugë do marrë formë.