”Le të më arrestojnë, le të më pushkatojnë, vetëm me gjak e ndajmë këtë punë. Edi Rama bashkëfajtor!”

Banorët e Astirit kanë dalë sot në ditën e tetë të protestës së tyre, duke bllokuar dhe një pjesë të rrugës për kalimin e mjeteve.

Qytetarët shprehen se ata do të mbrojnë me gjak banesat e tyre, ndërsa shtojnë se nuk janë kundër ndërtimeve, po duhet t’iu garantohet shpronësimi me vlerën që ka sot tregu. Një prej banorëve shprehet se ata kërkojnë negociata të drejtpërdrejta me qeverinë Rama.

‘’Jam një banor i Unazës së Re, kemi më shumë se 20 vjet që jetojmë këtu. Jemi qytetarë të këtij vendi, pse nuk vinë që të ulen këmbëkryq me neve, të na japin një çmim të barabartë me vlerën e tregut. Jemi bashkëfajtor ne dhe Edi Rama, ku të shkojmë ne.

Ta dinë mirë të gjithë banorët, se do të prishen 1 mijë familje. Kërkojmë negociatë të drejtpërdrejtë ndryshe kjo punë nuk mbyllet mirë. Le të më arrestojnë, le të më pushkatojnë, vetëm me gjak e ndajmë këtë punë”,shprehet banori.

Në protestën e sotme nuk kanë munguar as tensionet mes tyre dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët kërkojnë të kalojnë rrugën, pavarësisht barrikadës njerëzore që kanë ndërtuar banorët.

Në përplasjen mes drejtuesve të mjeteve dhe banorëve ka mbetur i lënduar dhe një prej operatorëve të mediave, ndërsa në vendngjarje nuk ka asnjë punonjës policie për të bërë të mundur neutralizimin e situatës.

Banorët thonë se kanë marrë urdhër të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, ndërsa kërkojnë mbështetjen e të gjithë banorëve të kryeqytetit. ”Të gjithë për një qëllim”, është motoja e banorëve. Ndërkohë protestës i janë bashkuar dhe deputetët e PD-së Flamur Noka, Orjola Pampuri dhe Klevis Balliu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here