Leksion gjerman, ja si Shqipëria duhet të zhvillojë ekonominë

Eksperti gjerman Doktor Martin Henze ka dhënë ditën e sotme këshilla se si Shqipëria duhet të zhvillojë ekonominë e saj që të jetë sa më pranë BE-së.

Duke folur në tryezën e rrumbullakët të organizuar në selinë e PD-së me pjesëmarrjen e kreut Lulzim Basha, eksperti gjerman Henze, kryetar i komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU dha këshilla të vlefshme se si duhet të sillet Shqipëri. 

Henze ka diskutuar dhe këshilluar për programin ekonomik të PD në kuadër të investimeve në infrastrukturë, energji etj.

Pikat kryesore të këshillave të Dr. Martin Henze:

Shqipëria duhet të mundësojë ngritjen e strukturave të nevojshme, që të mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Në 50 vitet e fundit kemi parë se si vende të ndryshme, me ekonomi me orientim bujqësor, e kanë riorganizuar strukturën e tyre për t’iu përshtatur mekanizmave dhe strukturës ekonomike të BE-së.

Situata ekonomike në Shqipëri është katastrofale, borxhi ekonomik është shumë i lartë dhe popullsia po largohet. Por mundësitë për zhvillim janë, për shkak të resurseve ekonomike dhe burimeve natyrore të shumta të vendit.

Por më duhet të them se infrastruktura e vendit paraqitet plot pengesa. Përshembull, Porti i Durrësit ka një organizim katastrofik. Është emergjente që kjo portë hyrëse të përmirësohet sa të jetë e mundur. Njësoj mund të them për shtrirjen e rrjetit hekurudhor në Shqipëri. Një tjetër problem madhor që shfaqet këtu tek ju është humbja e trurit, për shkak të rrjedhjes së trurit. Pjesa më inteligjente e shqiptarëve po kërkon azil, në Gjermani e kudo. Unë vetë kam takuar të rinj të shkëlqyer shqiptarë, të cilët e kërkonin të ardhmen e tyre në Gjermani, Suedi, etj. Është jetike që të rinjve shqiptarë duhet t’ju ngjallet shpresa për rikthim në Shqipëri për rindërtimin e vendit.

Përvoja e deritanishme e sfidave me të cilat përballen shtetet ish-komuniste në rrugën drejt integrimit në BE, na shtyn të shtrojmë pyetjen: “Si Shqipëria mund të heqë qafe barrën që ka trashëguar nga regjimi komunist, në mënyrë që të integrohet sa më shpejt në BE”. Kemi shembullin e Gjermanisë. Jo gjithçka ka qenë perfekte tek ne, por mund të merremi si shembull se si mund të kryhet transformimi. Psh, ajo që tërheq vëmendjen qysh në fillim është fakti se në Shqipëri është katastrofale gjendja me titujt e pronësisë. Siguria e këtyre titujve është jetike për ata që duan të investojnë e të blejnë prona në Shqipëri.

Arratia nga zona rurale dhe migrimi i brendshëm është një tjetër plagë që po prek Shqipërinë. Lëvizjet e brendshme migratore po sjellin këtu edhe probleme të reja, të papritura. Psh, rrjeti rrugor në aksin Tiranë-Durrës s’po e përballon dot më peshën e makinave, edhe për shkak të këtij migrimi. Dua të shtoj edhe diçka dhe mos ma merrni për populizëm: Ekziston njëfarë nepotizmi dhe tarafllëku që vjen si mënyrë sjelljeje që nga sistemi komunist, dhe kjo trashëgimi asnjëherë nuk mund të përdoret për mire në këtë periudhë transformimesh. Në këtë çështje duhet një ndërhyrje. Ne si BE kemi ndërhyrë në Greqi dhe Portugali dhe kjo ndërhyrje, megjithë dhimbjen që ka shkaktuar, ka sjellë rritje ekonomike dhe të punësimit të të rinjve.

Gjithsesi, nga 1991-i, në Shqipëri është arritur shumë. Shumë njerëz kanë investuar forcën e fuqinë e tyre që në Shqipëri të arrihet ky stad, por kjo s’mjafton që të bëheni anëtarë të BE. Ne si përfaqësues të sektorit privat ndjekim me shqetësim nisma që ndërmerren në disa vende të Ballkanit favorizojnë Kinën dhe Turqinë. Nisma 16+1 është një marrëveshje jo e mirë për Shqipërinë. Ju duhet të sqaroni ç’do të bëni, do të bëheni pjesë e BE-së, apo të ndërmerrni një aleancë strategjike me konkurrentin tonë, Kinën. Nëse e kuptova mirë zotin Basha, të gjithë në Shqipëri thonë se duam të anëtarësohemi në BE. Është si në martesë, s’mund të kesh dy burra (apo dy gra). Natyrisht mund të besh biznes edhe me Kinën, por s’mund të negociosh elementët nevralgjikë të ekonomisë, si energjinë, infrastrukturën apo gjetkë, duhet bërë kujdes që të mos përfundojnë tek konkurrentët tanë. Ne në Gjermani e bëjmë e kështu duhet të veproni edhe ju. Marrim sektorin e naftës, përshembull, ku shumë firma evropiane mund t’ju ndihmojnë. Përse në Durrës për infrastrukturën shohim se negociohet vetëm me kinezët përshembull dhe jo me firma evropiane. Evropa ka projekte për këto çështje, si Plani “Juncker” për infrastrukturën. Duhet parë qe vendet kandidate të përfitojnë nga këto instrumente financiare, pasi bëhet fjalë për vlera të mëdha financiare.  Në Shqipëri, përpara se dikush të mendojë për koncesione për kompani kineze apo turke, nuk duhet të habiteni se partnerët tanë në BE e SHBA ju kanë paralajmëruar që të mos ndërmerren hapa të tillë. Tjetër gjë është biznesi, por jo partneriteti në fushën strategjike, siç ne e cilësojmë infrastrukturën.

(kurse evropiane për kualfikimive të rinjve. Gjermania, shembull me sistemin DUAL).

Më lejoni të bëj vlerësim personal në këtë tryezë. Për një zhvillim aktiv në kuadër të proceseve evropiane janë të rëndësishme 3 faktorë; siguria ligjore (e përmenda edhe tek çështja e titujve të pronësisë; së dytiiI jap të drejtë zotit Basha për një Kod Zgjedhor demokratik. Duhet të ketë balancë dhe shtet funksional që garanton balancën mes pushteteve.

Ne kemi instrumente të ndryshme ligjore në Gjermani. Psh, persona që janë gjykuar me vendime të formës së prerë nuk mund të kandidojnë për postin e një deputeti në Bundestag. Është e rëndësishme të kuptohet cila është situata ligjore e personave të tillë. Ju si juristë është e rëndësishme të bëni kujdes që në parlament të aplikohen ligje të ngjashme. Ju duhet ta çoni përpara vendin. Si vend i vogël, në vazhdën e këtij procesi, ju duhet të ecni përpara, në mënyrë që për një periudhë 5-8 vjeçare të mund të anëtarësoheni në BE.

Po të kemi parasysh ciklin e jetës së një vendi, ky afat është një afat i shkurtër. E rëndësishme është që shqiptarët të zgjedhin qeverinë e duhur. Kompanitë private që sjellin investime mendojnë se janë demokratët ata që mund t’i garantojnë këto parakushte.

Ju lutem, mos u habisni që sot kompani të tilla nuk investojnë në Shqipëri, sepse s’kanë mundësi për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve. Element tjetër shqetësues janë liritë e qytetarëve në Shqipëri, ku ka vend për përmirësim. Edhe pas ’92, vihet re se shtetasit kanë vijuar të vuajnë, megjithëse kishin vuajtur nën regjimin komunist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *