Dyshimet për pasuri të fshehura dhe dosjet e aksidenteve në Bulqizë rrezikojnë Trocin

Prokurori Ramadan Troci u përball me dyshimet e KPK-së për pasuri të fshehura; një makinë e blerë nga vëllai, targat e së cilës përkojnë me të dhënat e tij “AA 077 RT” si dhe aksionet në një kompani minerare në emër të baxhanakut. Troci kundërshtoi akuzat për fshehje pasurie dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Dyshimet për pasuri apo aksione të fshehura dhe hetimet e mbyllura për shtatë aksidente me vdekje në minierën e Bulqizës kanë vënë në pikëpyetje karrierën e prokurorit Ramadan Troci, i cili u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit i shoqëruar nga avokati Ardian Leka.

Sipas trupës gjykuese të drejtuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Suela Zhegun, prokurori Troci rezultoi me probleme në dy nga tre kriteret e rivlerësimit që lidhen me pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Troci, i cili e kryen aktualisht detyrën pranë Prokurorisë së Përgjithshme zotëron si pasuri të deklaruar një apartament rreth 100 metra katrorë në Kashar dhe një depozitë bankare me vlerë 2.5 milionë lekë në bankë. Megjithatë, ishin pasuritë e padeklaruara në emër të miqve apo familjarëve ato që ngritën dyshime rreth integritetit të prokurorit Troci, i cili nga ana e tij këmbënguli se nuk kishte pasuri të fshehura apo ndonjë lidhje me to.

Ramadan Troci e nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 dhe prej asaj kohe ka punuar në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014, ai u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Që në fillim të seancës dëgjimore, Troci u përball me akuzën e fshehjes së pasurisë, e ngritur edhe në raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, lidhur me një objekt 32 metrash katrorë të ngritur mbi një sipërfaqe toke pranë shtëpisë së prindërve të tij në Paskuqan.

Për legalizimin e këtij objekti ishte dërguar në ALUIZNI një kërkesë në emër të Ramadan Trocit, por ky i fundit pretendoi se nënshkrimi ishte falsifikuar dhe ia faturoi këtë veprim të atit, që sipas tij kishte për synim të legalizonte sipërfaqen prej 1 mijë metrash të truallit të blerë në vitin 1997 në Paskuqan.

“Objekti 32 metra katrorë është një kasolle në oborrin e shtëpisë së prindërve. Unë jam vënë në dijeni në vitin 2016 për aplikimin e bërë në ALUIZNI nga babai dhe nuk kam asnjë lidhje me të,” tha Troci, duke ofruar si provë edhe një ekspertizë që sipas tij tregon se formulari nuk është nënshkruar prej tij.

Mosdeklarimi i objektit 32 metra katrorë ishte vetëm një prej gjetjeve të KPK-së, që nuk reflektohet në deklaratat e pasurisë që Troci ka dorëzuar vit pas viti në ILDKPKI. Sipas relatores Pamela Qirko, Troci jeton prej dy vitesh në një apartament me pronësi të paqartë në zonën e Pazarit të ri në Tiranë, që i është dhënë atij me qera pasi janë shpenzuar rreth 30 mijë euro për mobilim.

“Prona është fituar me klering nga A.Sh, ortak i një kompanie. Kjo pronë është identifikuar përmes denoncimit të një qytetari dhe ngrihen dyshime të arsyeshme mbi mënyrën e marrjes së saj me qera. Vlera e qerasë është shumë e ulët. Duket i çuditshëm fakti se pse është investuar 30 mijë euro për mobilim në një pronë, që A.Sh nuk e përdor,”nuk e fshehu habinë relatorja Qirko.

Qirko ngriti dyshime edhe për një automjet të blerë për 13 mijë euro në Gjermani nga vëllai, targat e së cilit përkojnë me të dhënat personale të prokurorit Troci “AA 077 RT”, për pronat e patundshme me vlerë 19 milionë lekë në emër të vëllait tjetër, si dhe për aksionet që baxhanaku i Trocit zotëron në një kompani me aktivitet në fushën minerare në Bulqizë.

“Baxhanaku me iniciale R.M nga Shijaku ka qenë ortak me 33 për qind të kuotave në një shoqëri me aktivitet minerar në Bulqizë. Subjekti i rivlerësimit ka qenë prokuror në Bulqizë, ka kryer hetime ndaj kompanive dhe ka mbyllur hetime ndaj tyre ndaj dyshohet se aksionet janë pasuri e fshehur e tij,” shtoi relatorja Qirko.

Troci mori vlerësime pozitive për pastërtinë e figurës nga DSIK dhe për aftësitë profesionale nga Prokuroria e Përgjithshme. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk u mjaftua me kaq.

Një analizë e thelluar e shtatë aksidenteve me vdekje në minierën e Bulqizës, të ndodhura në vitet 2006-2011 arriti në përfundimin se prokurori Troci kishte kryer hetime të cekëta dhe joefektive, duke mos filluar procedime penale si dhe duke ua lënë fajin viktimave.

“Vihet re një interpretim i gabuar i ligjit, hetimet nuk kanë qenë efektive, aktet janë të cekëta dhe ekspertiza nuk bazohet në prova. Në shtatë çështjet me pasojë humbjen e jetëve njerëzore vihet re një neglizhencë e vazhdueshme, e cila nuk përputhet me rolin e prokurorit,” tha relatorja Qirko.

Në fjalën e tij para Komisionit, Ramadan Troci shprehu dakordësi për procedurën e ndjekur, por kundërshtoi gjetjet që e ngarkojnë atë me përgjegjësinë e fshehjes së pasurisë. Ai u ndal pothuajse në të gjitha dyshimet e ngritura dhe tentoi t’i zhvlerësojë ato, duke mohuar të kishte lidhje me pronat e vëllezëve apo aksionet e baxhanakut.

Troci hodhi poshtë edhe analizën e shpenzimeve të KPK-së, duke u ankuar se i kishin nxjerrë si kosto jetese për kohën që punonte në Bulqizë shumën 600 mijë lekë, që sipas tij është e barabartë me gjysmën e fondit të bashkisë së këtij qyteti për të pastrehët.

Ai pranoi deri diku keqkuptimet që mund të lindin rreth apartamentit në zonën e Pazarit të Ri ku jeton me qera, por shtoi se nuk kishte dijeni rreth marrëdhënies së pronarit Agron Sharku me ortakët e tij. Ai shtoi më tej se apartamenti ishte mobiluar për vajzën e këtij të fundit që jeton në Londër, ndërkohë që “ajo ishte martuar me një skocez” dhe nuk ishte kthyer në Shqipëri.

“E kam takuar me dy shokë të mi dhe ai m’u vetëofrua që të banoja në apartamentin e tij pa asnjë lek qera. Pranova për hir të fëmijëve,” tha Troci para Komisionit, duke shtuar se nuk kishte pasur asnjë shqetësim nga askush dhe se në vitin 2019 do të kthehej në apartamentin e tij në Kashar.

Troci u ndal edhe te pasuritë e të vëllait, tre njësi tregtare dhe një apartament në Yzberisht, për të cilat shtoi se ishin blerë lirë për shkak të njohjes familjare me ndërtuesin nga Dibra si dhe faktit se në atë kohë nuk kishte as rrugë në zonë. Por ai e kundërshtoi faktin se i vëllai nuk kishte burime të mjaftueshme financiare, duke ofruar si argument punën e bërë prej vëllezërve në Greqi si dhe një biznes në Tiranë, që “ndonëse kishte deklaruar pak fitime” kishte të ardhura të mjaftueshme.

““Im vëlla bëri një biznes ku ka punësuar të gjithë familjen dhe si të gjitha bizneset e tjera ka deklaruar pak fitime. Ajo është përgjegjësi tërësisht e tij. Unë nuk kam asnjë lidhje me pasuritë e tij,” shtoi Troci.

Prokurori kundërshtoi gjithashtu edhe dyshimet e ngritura mbi pasuritë e baxhanakut, për të cilin tha se “për shtatë vjet ndoshta ka folur tre herë me të për Vit të Ri”. Njësoj, Troci kundërshtoi edhe rezultatin mbi aftësitë profesionale, duke pretenduar se vendimarrja e tij ishte inspektuar disa herë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe kishte rezultuar e drejtë.

“Prokuroria e Përgjithshme ka nisur gjithashtu një inspektim për punën time. Rezultati ka qenë se kisha kryer hetime të drejta dhe të bazuara në prova. Madje janë motivuar prokurorët që të ndjekin shembullin tim,” tha Troci, duke përmendur faktin se kishte arrestuar 4 inxhinierë për aksidentet në minierën e Bulqizës.

Në konkluzionet e tij përfundimtare, Troci i krahasoi disa prej gjetjeve të vetingut me atë që ai e quajti “një fushatë shpifjesh kundër tij në median sociale”, që sipas tij ishin nxitur nga mafia kriminale, interesat e së cilës ishin prekur gjatë punës së tij në krye të Prokurorisë së Vlorës. Troci shtoi se kishte marrë edhe kërcënime apo zarfe me shantazhe në shtëpi.

“Në Vlorë kam sekuestruar mbi 850 milionë euro pasuri të krimit, kemi konfiskuar pallate 12 katëshe nga mafia kriminale. I kam pasur mbi kurriz grupet kriminale,” tha Troci, duke shtuar megjithatë se nuk i kishte ndjekur në rrugë ligjore duke mos dashur të ndikojë në procesin e vetingut.

Në fund të fjalës së tij, Troci shprehu besimin në proces dhe kërkoi konfirmimin në detyrë, për të kryer “deri në daljen në pension, profesionin që e kishte pasion dhe ëndërr që fëmijë”.

Në fund të seancës dëgjimore, trupa gjykuese deklaroi se vendimi për prokurorin Ramadan troci do të shpallet më 14 nëntor, ora 10.

/Reporter.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *