Dinamika/ Mbi 5 persona organizuan vrasjen e të fortit të Vlorës

Nderkohe qe hetimet per atentatin e dyfishtë ne Durres ku mbetën të vrarë Edison Harizaj dhe Genci Çaçi po vijojne, ekspertët e krimeve thonë se atentati ndaj Harizajt është kryer në mënyrë të organizuar.

Ekzekutorët, që mendohet se janë më shumë se pesë persona, kanë vënë në jetë një skenar thuajse të pamundur për ta realizuar. Sipas ekspertëve, plani i ekzekutorëve ka qenë i hartuar shumë mirë dhe ka funksionuar në precizion.

Ata kanë marrë informacion të hollësishëm se ku ndodhej Harizaj në Tiranë dhe kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e 39-vjeçarit. Më pas e kanë ndjekur makinën e tij, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tyre kanë zënë pritën në zonën e Unazës së Durrësit (në afërsi të mbikalimit të Plepave). Gjithçka rezulton se ishte organizuar me përpikëri nga ana e autorëve.

Personat që i ishin vënë nga pas makinës me të cilën udhëtonte Edison Harizaj dhe Genci Çaçi informonin për vendndodhjen herë pas here bashkëpunëtorët e tyre, që ndodheshin në afërsi të Plepave në pritje. Sapo Harizaj dhe Çaçi janë afruar në zonën e Plepave, një automjet ku ndodhej pjesa tjetër e grupit ka hyrë në kundërvajtje në korsinë ku Harizaj po udhëtonte nga Tirana në Vlorë.

Ai ka ulur shpejtësinë për të shmangur automjetin që po vinte drejt tyre kundërvajtje dhe në një moment devijon në rrugë dytësore për të evituar përplasjen. Por pikërisht në rrugën dytësore ishin vendosur ekzekutorët, të cilët kanë qëlluar menjëherë në drejtim të makinës së tyre, duke derdhur të paktën dy karikatorë kallashnikovi (60 plumba). Në vendin ku autorët kanë zgjedhur të kryejnë krimin nuk ka asnjë pamje filmike dhe as ndriçim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *