Ekskluzive/ Rama, sherr me Veliajn për bashkinë, del në skenë emri i Manastirliut

Nga Boldnews.al

Edi Rama dhe Erion Veliaj mësohet se kanë debatuar ashpër në fillim të kësaj jave. Burime nga të dyja palët e konfirmojnë sherrin me tone të larta, të zhvilluar mesditën e së Hënës së kësaj jave, e cila u shoqërua më pas me daljen publike të Fatmir Xhafajt në krah të Erion Veliaj.

“Dorëheqja” e papritur e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm u pasua me komentet se ai u largua për shkak se arrestoi dy ish-deputetë të Partisë Socialiste dhe po i ngrihte kurth me pranga Vangjush Dakos. Në fakt, konflikti mes Ramës dhe aleancën fluide Xhafaj-Veliaj është më i thellë dhe qëndron tek dëshira e ethshme për pushtet brenda Partisë Socialiste.

Mëngjesin e së Shtunës së kaluar, Edi Rama njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e Fatmir Xhafaj nga posti i ministrit të Brendshëm. Dy ditë më pas, Xhafaj shfaqet në krah të Erion Veliajt, në një takim me qytetarë të Tiranës, ku bëri thirrje për votimin e tij për një mandat të dytë.

Pak orë para se Xhafaj të “lypte” vota për Veliajn, ky i fundit ishte ndarë me sherr të madh me kryetarin e partisë, Edi Ramën. Njerëz pranë “Lali Erit” tregojnë se Rama e ka kërcënuar kryebashkiakun e Tiranës me mos-kandidim për në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet të zhvillohen në Qershor 2019.

Madje, Edi Rama duket se e ka të qartë skemën për të larguar Veliajn nga pushteti dhe pritet të kandidojë për kryetare të Bashkisë së Tiranës ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kjo e fundit, u katapultua në Partinë Socialiste nga vetë Edi Rama, fillimisht si Drejtore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe më pas si Ministre e Shëndetësisë. Nuk ka shkëlqyer në postin e ministres, por, gjithësesi, është më pak e akuzuar se paraardhësi i saj, Ilir Beqja, firma e të cilit u ka dhënë qindra milionë euro oligarkëve të Edi Ramës.

Ogerta Manastirliu është bërë pjesë e zyrtarëve të lartë të socialistvë, në bazë të investimit personal të Saimir Tahirit, i cili prej disa kohësh drejtoi degën më të madhe të partisë, atë të Tiranës. Manastirliu dhe Tahiri kanë njohje të hershme, që në vitet e gjimnazhit, në shkollën “Sami Frashëri” dhe më tej kanë vijuar së bashku rrugëtimin drejt pushtetit të lartë partiak dhe shtetëror.

Tashmë që ish-ministri i Brendshëm po tenton të rikthehet në jetën politike, Edi Rama ka nisur të aktivizojë njerëzit e Tahirit, i cili ka pasur raporte aspak miqësore me Erion Veliajn.

Kryebashkiaku i Tiranës është një prej investimeve kryesore të Edi Ramës në Partinë Socialiste. I lindur si produkt i shoqërisë civile, Erion Veliaj dhe “Mjaft-i” i tij ndërmorrën një fushatë të ashpër kundër ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Pasi Edi Rama mori drejtimin e Partisë, Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij iu afruan pushtetit të kryesocialistit. Me fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013, Rama e emëron Veliajn fillimisht Ministër të Mirëqënies Socialiste e, më tej, kandidat fitues të zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Tiranës.
Nga ky moment, Erion Veliaj ndjeu aromën e pushtetit dhe nisi planin për të rrëzuar “atin politik”, njëlloj siç bëri vetë Edi Rama me Fatos Nanon. Kryebashkiaku i Tiranës, nëpërmjet lejeve të ndërtimit, përfshiu nën pushtetin e tij pjesën më të madhe të biznesit të fuqishëm, përfshirë edhe atë mediatik.

Për shkak të këtij pushteti, Veliaj siguroi një lloj pavarësie nga linja zyrtare e Partisë, e përfaqësuar nga Edi Rama. Etja për pushtet e kryebashkiakut të Tiranës tashmë e ka vendosur përballë mentorit të tij, Rama. Ndaj, sherri me tone të larta i fillim-javës ndërmjet të dyve, pritet të sjellë zhvillime të reja brenda radhëve të socialistëve.

Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë, stafi i afërt i Ogerta Manastirliut ka nisur të mendojë për fushatën e ardshme, ku titullarja e tyre shpreson që të jetë kandidatë për kryetare të Bashkisë së Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *