Përjashtohen nga asistenca ekonomike, personat me lidhje kriminale dhe të korruptuarit

Së shpejti në seancën më të parë në parlamentare, do të miratohet ligji nr.9374, “Për ndihmën shtetërore”, me disa ndryshime “madhore” që i ka bërë qeveria Rama.

Sipas këtyre ndryshimeve, më në fund do të përjashtohet nga “asistenca” apo ndryshe, përfitim i ndihmës shtetërore, të gjithë ata persona të cilët janë marrë me punë të pista, siç është korrupsioni shtetëror, organizata kriminale dhe të trafikut të drogës, ata që kanë pastruar para, apo janë marrë me falsifikim ose prostitucion.

Me një fjalë të gjithë ata që kanë bërë “miliona” nga vjedhja në shtet apo nëpërmjet krimit, do të marrin një goditje të madhe nga qeveria Rama duke u hequr nga buxheti personal, nga 5 mijë lekë të reja, ose ndryshe aq sa shpenzojnë zakonisht brenda një orë.

Por përpara se qeveria Rama të kujtohej të përjashtonte nga skema e e asistencës, zyrtarët e korruptuar dhe pjesëtarë të krimit, këtë e ka bërë më herët me zell të madh, për dhjetra mijë shqiptarë që nuk kanë asnjë mundësi punësimi dhe mbijetese.

Kështu nga Reforma në ndihmën ekonomike që Rilindja vuri në zbatim që në fillim të këtij viti, dolën nga skema e ndihmës më shumë se 29 mijë familje në të gjithë vendin, sipas të dhënave të fundit të INSTAT. Në gjashtëmujorin e parë të vitit përfituan ndihmë ekonomik rreth 52 mijë e 700 familje, nga rreth 81 mijë e 900 mijë familje që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Sipas këtyre shifrave zyrtare shihet qartë se mbi 35 për qind e familjeve që më parë trajtoheshin me ndihmë, tani nuk e marrin më.

Në gjashtëmujorin e parë të 2018 “paga” mujore e kësaj asistence ishte rreth 5,100 lekë, shifër kjo shumë më e ulët si minimumi jetik. Aktualisht sipas standardeve ndërkombëtare të varfërisë minimumi jetik është 2 dollarë në ditë, që e konvertuar me monedhën shqiptare (Lek) i bie rreth 8 mijë lekë në muaj.

Në këtë situatë, qeveria Rama ka bërë një ndërhyrje madhore me ligj, duke u hequr “riskun” zyrtarëve të korruptuar dhe mafiozëve.

Kategoritë e reja që përjashtohen nga asistenca, sipas ligjit nr.9374

a) Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste;

b) Korrupsion;

c) Mashtrim;

ç) Pastrim parash ose financim i terrorizmit;

d) Vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, ose nxitje, ose ndihmë ose mbështetje për kryerjen e veprave penale me qëllime terrorist dh) Organizimi, drejtimi ose financimi i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve;

e) Falsifikim;

ë) Puna e fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *