DURRES– Dëshmitarët kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në shtëpinë e tyre si pasojë e breshërisë së plumbave mbrëmë në Durrës, teksa mbeti i vrarë miku i Emiljano Shullazit, 39-vjecari Edison Harizaj si dhe u plagos shoku i tij Genci Caci, 33 vjeç.
Një dëshmitare që ka shtëpinë në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’, aty ku ndodhi edhe atentati ka treguar momentet e tmerrit që ka përjetuar bashkë me djalin e saj.
Në një prononcim, dëshmitarja thotë se kur kanë dëgjuar breshërinë e kallashnikovit kanë fikur dritën nga frika.
“Ishte ora rreth 11:00. Ne ishim ulur në divan në shtëpi me djalin dhe po bisedonim. Dëgjuam breshëri kallashnikovi. Fikëm dritën për momentin. I thashë djalit çfarë bëhet kështu. Djali më tha se ka filani kallash mos qëllon ai. Pasi fikëm dritat, djali hipi lart dhe më tha se e paskan vrarë një person se dukeshe. Nuk dolëm fare se kishim frikë se nga vijë plumbat në oborr. Pas 5 minutash erdhi policia. Djali hipi në tarracë dhe po shikonte. Makina e autorëve mori kthesën dhe iku me shpejtësi”- ka rrëfyer gruaja.
Pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa një makinë pa targa tip ‘Benz’ e cila dyshohet se i përket autorëve është gjetur e djegur në Shën Vlash. Policia po këqyr kamerat e sigurisë së disa hoteleve për të parë lëvizjet e autorëve.
Viktima Edison Harizaj nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai dyshohet se ka kryer një sërë krimesh, përfshi dhe ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.