Ajo që Rama fsheh për zëvendësimin e Xhafës me Lleshin

Kryeministri Rama foli dje në parlament për të shpjeguar krizën intitucionale mes tij dhe presidentit duke e vënë theksin të mungesa e shpjegimeve që Ilir meta ka dhënë për mosdekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendëshëm.

Duke e quajtur herë qesharak dhe herë duke e ironizuar si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, Rama i kërkoi me insistim Metës të thoshtë arsyen (sipas tij antikushtetuese) se përse e kishte ndërmarë këtë akt.

Formalisht kryeministri ka të drejtë. Edhe në bazë të kritereve juridike, kreu i shtetit duhet të japë arsye edhe në bazë të detyrimit të transparencës me publikun ai duhet ta bëjë këtë.

Por si gjithmonë problemi me Ramën është se ai u kërkon të tjerëve, atë që rrefuzon ta bëjë vetë. Gjatë gjithë krizës në Ministrinë e brendëshme, ai nuk ka treguar as transparencë ndaj publikut dhe as shtratin ligjor mbi të cilin po vepron.

Kështu, ne ende nuk dimë se përse u largua Fatmir Xhafaj. Dorëheqja e tij do të hyjë në histori si e para dorëheqje e një zyrtari të lartë që nuk bëri të ditur shkakun. Dhe Rama nuk ka hedhur aspak dritë në këtë pikë.

Po kështu po ndodh edhe me vendimin që ai mori pas rrefuzimit të Metës, duke vendosur që Sandër Lleshin ta shpallë zv/ministër me kompetenca ministri. Madje në mënyrë provokative ai e rreshtoi foton e gjeneralit përkrah anëtarëve të tjerë të kabinetit.

Por një kqyrje e shpejtë e ligjit për organizimin e Këshillit të Ministrave tregon se vullneti i Ramës nuk ka mbështetje ligjore. Sepse që një zv/ ministër të kryej ato detyra që pretendohet të bëjë Lleshi ai duhet të përmbushë dy kushte.

Së pari shtimi i kompetencave të tij mund të bëhet vetëm nga ministri, që në këtë rast mungon (Pika 2 e nenit 6 të ligjit) dhe së dyti për të marë pjesë në mbledhjet e qeverisë, atij i duhet delegim nga Fatmir Xhafa që ende është formalisht në detyrë (Pika 4 e nenit 13).

Pra, shkurt dhe shqip, Sandër Lleshi e ka të pamundur të jetë sipas ligjit shqiptar, ashtu sikurse e shet Edi Rama.

Por kryeministrit që ka si devizë të vet: “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, kjo pak i intereson.

Ai i kërkon Metës të bëjë transparencë, por, vetë e injoron atë. Ai i kërkon presidentit të tregojë se mbi ç’nen është mbështetur, por vetë as denjon të shpjegohet se si e shpalli Lleshin “ministër”.

Pra ai kërkon sinqeritet, ndërkohë që vet vepron në ilegalitet./lapsi.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *