GJIROKASTER – Shkrimi dhe flamuri grek që shihni në foto, janë ‘vepra’ e fundit e bërë nga Kostandinos Kaçifas, minoritari grek që mbeti i vrarë dje pas një shkëmbimi zjarri me policinë shqiptare. Ngjarja e rëndë ndodhi në Bularat të Gjirokastrës, në ditën kur në këtë fshat ashtu si për çdo vit tjetër do të festohej festa kombëtare e Greqisë.
Në foton që shihni nga qendra e fshatit, emri është shkruajtur me shkronja greke ‘Bularat’.
SI NDODHI NGJARJA
Gjithçka nisi rreth orës rreth 10:00, kur Kaçifa nisi të quante me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur në qendër për të festuar festën e Greqisë, e cila si çdo vit po organizohej edhe në këtë fshat. Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat shkuan shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Kaçifa pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të tyre. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër shkuan forcat speciale RENEA, aksion ky që përfundoi me vrasjen e 35-vjeçarit.
Autori ishte fshehur pranë depos së ujit në Bularat, ndërkohë që mes tij dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu 35-vjeçari qëlloi herë pas here ndaj policisë pasi kur u largua nga vendi i ngjarjes kishte edhe tre karikatore me vete, ndërsa me pas u vra nga RENEA gjatë shkëmbimit të zjarrit.