“Me faqe të kuqe, gjithmonë i shoqëruar nga një buzëqeshje që i nxirrnin në pah sytë blu. Gjithmonë. Shihej nga një distancë e largët mirësia e shkëlqyer e Ernaldo Zefit, 22-vjeçari i cili humbi jetën dje në një aksident automobilistik. Atë e adhuronin të gjithë në Castelnovo Monti, ku prej disa muajsh, punonte në një klinikë dentare”.
Kështu e nis “Il Resto del Carlino” raportimin, që synon të nxjerr në pah portretin e shqiptarit, i cili ndërroi jetë këtë të diel, në një aksident.
“Ai kishte një marrëdhënie të jashtëzakonshme, unike me Alessandro-s. Alle, siç e njehnin të gjithë. Një djalë me aftësi të kufizuara, që e donte më shumë se kushdo tjetër, që në kohën e shkollës. Ernaldo e ndihmonte atë me detyrat e shtëpisë. Ata ishin të pandashëm. Më shumë se një mik i mirë, për Ernaldon ishte një vëlla, siç shkroi një ditë në rrjetet sociale, duke i kushtuar një fotografi për ditëlindje.
Misioni i tij ishte ta bënte të jetonte një jetë si gjithë të tjerët: dje, e çoi të kërcente me shokët. Dhe e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme. Ai i dedikoi aq shumë të tjerëve. Ernaldo ishte edhe një vullnetar të kryqit të gjelbër (organizatë bamirëse). Dhe dje, ndër kujtimet e sjella në mediat sociale, dikush ripublikoi disa fjalë që i shkruante vetë Erni.
‘Shqetësohuni për miqtë dhe personat e dashur, ndonjëherë, nuk mjafton të mendosh vetëm për veten tënde, ndihmoni nëse mundni dhe jo për përfitime të tjera, por për kënaqësi personale. Të gjithë kanë diçka për të mësuar ose për të transmetuar. Mirëpritini ata njerëz që shpesh duan të izolojnë veten. Jetojeni plotësisht jetën…’”, raporton media italiane.
Aksidenti
I ri shqiptar humbi jetën mëngjesin e djeshëm në aksindetin e ndodhur në Villa Minozzo, Reggio Emilia.
Mediat italiane bëjnë të ditur se Erni po kthehej në shtëpi, pasi shoqëroi disa shokë me makinë për në banesat e tyre, pas një feste.
Në një moment, makina tip “Fiat 500”, doli nga rruga edhe u përplas me një pemë. Impakti ishte i fortë dhe i riu humb jetën në vend.