Fill pas vendimit të mazhorancës në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për rrëzimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për ligjin e Teatrit Kombëtar, vjen edhe reagimi i parë.
Regjisori, i njohur edhe si një nga zërat më kritikë të këtij debati, Kastriot Çipi reagon duke i cilësuar deputetët e mazhorancës si ushtarët e partisë që votuan brenda dy minutash një dekret të presidentit.
“Ushtarët e Partisë në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese sapo diskutuan dy minuta dhe votuan në minutën e tretë për të rrëzuar dekretin e Presidentit që kërkon rrëzimin e projekt-ligjit antikushtetues për shembjen e teatrove kombëtare.
70 ushtarët e tjerë do të japin votën e tyre “plumb për armikun” pas fillimit te seancës plenare në ora 10”, shkruan regjisori.
Në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, mazhoranca votoi kthimin e ligjit sërish në Kuvend, dhe pritet të votohet sërish sot në seancën plenare.