Nga Boldnews.al
Pas arrestimit të dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Çuko e Arben Ndoka, veprat penale të të cilëve u zbuluan gjatë hetimit të dosjes së narkotrafikantëve “Avdulaj”, një tjetër element e lidh këtë hetim me eksponentë të rëndësishëm të maxhorancës së Edi Ramës.
Hetimi për grupin e Shijakut u realizua me këmbënguljen e autoriteteve gjermane, të cilat po konstatonin ngadalësim të veprimeve proceduriale, sidomos pas largimit të prokurorit të Çështjes, Besim Hajdarmataj.
Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, në një konferencë të posaÇme për median paraditen e së Hënës, deklaroi se goditja e grupit të narko-trafikantëve Avdulaj ka nisur pas një materiali të përcjellë nga Prokuroria e Kavajës në atë të Krimeve të Rënda. Por Prela u kujdes që të mos identifikonte rastin e Kavajës, i cili u bë shkak për shkatërrimin e bandës së Avdulajve.
Shkak për nisjen e hetimit për Avdulajt ka shërbyer arrestimi në qershor të vitit 2017 të dy personave të kërkuar për shitje dhe trafik narkotikësh në Kavajë, e konkretisht Ramadan (Ram) Shabani dhe Enred Duka. Këta dy persona, të cilët ishin në ndjekje nga policia për shkak të një urdhëri arresti të lëshuar në atë kohë nga Prokuroria e Kavajës, tentuan të largoheshin me automjetin e drejtuesit të Partisë Socialiste të qytetit, Gentian Daja.
Policia e Kavajës, e cila po ndiqte në dinamikë lëvizjet e tyre, hezitoi të kryente arrestimin e Shabanit dhe Dukës, për faktin se ata gjendeshin në automjetin tip Audi të Gentian Dajës. Por, vetëm falë këmbënguljes së prokurorit të Çështjes, policia ndaloi automjetin, i cili drejtohej nga Shabani dhe arrestoi dy të kërkuarit.
Pronari i mjetit, Gentian Daja, nuk ishte në bord. Ai, pasi kishte përfunduar një drekë me dy miqtë e tij, u kishte dhënë automjetin, ndoshta me qëllimin për t’i ndihmuar që t’u shpëtonin prangave të policisë. Gjithësesi, Shabani dhe Duka u arrestuan dhe në momentin e ndalimit iu sekuestrua edhe një sasi e vogël kokaine.
Hetimet për këta dy të arrestuar, si edhe persona të tjerë që bashkëpunonin me ata, zbuloi lidhjet me Avdulajt e Shijakut, të cilët gjithashtu dyshohen për trafikim lëndësh narkotike të tipit të fortë, si kokainë dhe heroinë.