Marrëveshja e Prespës, zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit në Shkup

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer po qëndron në Shkup ku po takohet me zyrarë të lartë shtetërorë dhe politikë. Zoti Palmer shkoi në Shkup në një kohë kur u shtuan debatet lidhur me ndryshimin përmes kushtetutës të emrit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE u përpoq të pengonte procedurat.

Gjatë një takimi me ministrin e jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov, zyrtari amerikan ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë. Ministri maqedonas, siç njofton kabineti i tij, ka theksuar se qytetarët e Republikës së Maqedonisë, e shikojnë të ardhmen e vendit të tyre në familjen euro-atlantike, ndërkohë që ka theksuar shpresat për ecurinë me sukses drejt këtyre integrimeve.

Zoti Palmer është takuar me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka theksuar “përkushtimin konstruktiv të partisë në javët në vijim deri në rrumbullakësim të procesit për integrimin e vendit në NATO dhe BE”, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e z. Ahmeti.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e Lëvizjes Besa e të Aleancës për Shqiptarët.

Matthew Palmer do të takojë shefin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovskin e VMRO-DPMNE-së. Para pak ditësh, Ndihmës Sekretari Wess Mitchell i shkruante z. Mickovski me tone kritike për kërcënimet që partia e tij u bënte deputetëve të saj për të mos votuar pro ndryshimeve kushtetuese lidhur me emrin e ri të Maqedonisë.

Zoti Palmer do të takohet pasdite edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe më pas së bashku do të zhvillojnë në një konferencë për gazetarë.

Ndërkohë, Ministri maqedonas i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski ka njoftuar të hënën se të gjithë deputetët opozitarë maqedonas të cilët votuan pro propozimit për ndryshimin e kushtetutës janë marrë në mbrojtje nga policia dhe se kërcënimet e shantazhet ndaj tyre do të ndëshkohen.

Parlamenti i Maqedonisë e votoi të premten me dy të tretat nga 120 deputetë sa ka gjithsej propozimin për ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Tash, qeveria duhet t’ia dorzojë parlamentit projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të vendit, që do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë. Këto ndryshime kushtetuese përsëri do të duhet të miratohen me shumnicën e kualifikuar prej dy të tretave të votave në parlament. Sipas parashikimeve kjo do të ndodhë në janarin e 2019-s por ka gjasa që të bëhet edhe më herët.

Edhe parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen (e Prespës) pasi të gjitha procedurat të jënë miratuar nga parlamenti në Shkup./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *