Konviktet të pajetueshëm, studentët braktisin qytetin e tyre

Kryeqyteti pret edhe këtë vit të ri akademik studentët nga rrethet, një pjesë e mirë e të cilëve shohin si zgjedhje më të përshtatshme për të banuar në konviktet e Qytetit Studenti. Top Channel ka bërë një vëzhgim brenda godinave të rezidencës universitare studentore nr. 1 në Tiranë, për të parë se çfarë ofron kjo rezidencë dhe kushtet në të cilat ata jetojnë.

Janë 27 godina të ndara sipas gjinisë ku banojnë rreth 5000 studentë. Edhe këtë vit pagesa 4 500 lekë në muaj, është arsyeja që i mban aty, pasi kushtet nuk janë përmirësuar. Një dhomë rreth 20 metra katror për dy studentë nëse je me fat, në të kundërt do të pranosh ta ndash edhe me një të tretët. Gatimi nuk lejohet brenda në dhomë, por kur ngrohja nuk sigurohet në këto ambiente, mes rrezikut pajisja me një furnelë u shërben edhe për të gatuar dhe për të mos pasur ftohtë në dimrin që i pret.

Gjumi nuk bëhet i qetë në dyshekët me njolla, të grisur apo dyshekë të tjerë që u kanë dalë sustat. Një problem i ditur nga të gjithë studentët mbeten tualetet, të cilat janë të përbashkëta. Një vit i ri shkollor mes papastërtisë dhe orareve për të bërë dush.

Një nga dhomat e Godina 16 ishte ‘shtëpia’ e 22-vjeçares nga Dibra, Lorena Manjani për dy vjet.

“Duket që nga pamja e jashtme që nuk është investuar fare që nga viti i kaluar. Besoj se dhe kushtet brenda janë po njësoj, me dyshekë të copëtuar, me myk, me dushe me orare e të gjitha problemet e tjera që kemi pasur gjithmonë”, shprehet ajo.

Këtë vit, konvikti nuk do të jetë më vendi ku Lorena do të jetojë. Një dhomë me qira, në zonën Kodra e Priftit, është zgjidhja më e mirë për të dhe 3 shoqet e saj. Qiraja prej 20 000 lekësh ndahet mes tyre.

Image

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *