Arrestimi i Arben Çukos, ja si u detyrua të gënjejë ministrja Etilda Gjonaj

Nga Boldnews.al

Mesditën e 3 shtatorit, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit njoftuan Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, se kishin marrë urdhër nga Prokuroria për Krime të Rënda për të arrestuar në flagrancën drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çukon, i cili po përgatitej të zhvillonte një takim ku do të merrte 3 mijë euro rryshfet.

Ministrja Gjonaj, e cila deri në atë moment nuk kishte asnjë informacion të tillë, firmos urdhërin për shkarkimin e Çukos dhe emërimin në vend të tij të ish-deputetit, Stefan Çipa. Në këtë mënyrë, Gjonaj i dha një sinjal të menjëhershëm vartësit të saj, Çuko, se nuk duhet të kryente shkëmbimin e parave, pasi do t’i vendoseshin menjëherë prangat nga policia. Por, nga ana tjetër, lëvizja e beftë e Gjonajt ishte edhe një sinjal politik që, nëse Arben Çuko arrestohej, ai tashmë nuk ishte më pjesë e skuadrës së lartë të qeverisë.

Drejtori Çuko nuk ishte në dijeni se ministrja e tij ishte njoftuar nga Policia që ai mund të arrestohej. Madje Çuko e lidhi lëvizjen e tij nga posti i drejtorit me disa mosmarrëveshje që kishte pasur me ministren e Drejtësisë.

Pas më shumë se një muaji nga kjo lëvizje, mesditën e djeshme, Arben Çuko arrestohet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i dyshuar për korrupsion. Dhe, ministrja e Drejtësisë, sjell një tjetër panoramë për ngjarjet, të tjetërsuara nga realiteti.

Në një reagim të shpejtë pas arrestimit të Arben Çukos, Etilda Gjonaj i jep vetes disa merita që as i ka dhe as i takojnë në rastin konkret. Në njoftimin për media, shpërndarë pasditen e së Dielës, Gjonaj shprehet ndër të tjera: “Në cilësinë edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve”.

Në këtë mënyrë, Gjonaj synon që tregojë se qeveria që ajo përfaqëson është e gatshme të sakrifikojë edhe pinjollët e saj, vetëm e vetëm për të bërë shtet. Kjo duket qartë edhe në vijimin e deklaratës së ministres pas arrestimit të Arben Çukos: “E përshëndes dhe e mbështes prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-drejtorit dhe shpreh edhe njëherë vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin pa bërë dallime të asnjë natyre”.

Në fakt, në rastin konkret, as vullneti i qeverisë dhe as informacionet e Ministres së Drejtësisë nuk nxitën hetimin që u finalizua me arrestimin e ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve dhe ish-deputetit socialist, Arben Çuko.

Ky i fundit u arrestua, pasi, në një hetim të Prokurorisë për Krimeve të Rënda mbi një grup kriminal narko-trafiku, nga përgjimet rezultuan edhe episode ku Arben Çuko bënte “pazare” në telefon për tolerime për të burgosurit, në këmbim të parave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *