Nga Boldnews.al
Përgjimet e kryera në kuadër të hetimit për laboratorin e heroinës në Has kanë siguruar të dhëna edhe mbi veprime të tjera, kryesisht korruptive, të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste.
Gjatë hetimit për grupin kriminal të heroinës, Prokuroria për Krime të Rënda, e cila kishte disa muaj që kishte nisur veprimet proceduriale, ka siguruar prova për përfshirjen në korrupsion të Arben Çukos, ish-deputet dhe deri para pak kohësh Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Gjithashtu, po në kuadër të hetimit për grupin kriminal të heroinës, janë siguruar të dhëna për një hetim derivat, atë mbi ish-deputetin socialist dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Edi Ramës në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka, i dyshuar se është përfshirë në procesin e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Ranës së Hedhun.
Por hetimi për grupin e heroinës së Hasit, i cili në fakt u finalizua nga Policia vetëm pas ndërhyrjes së autoriteteve gjermane, dyshohet se ka të përfshirë edhe të paktën dy deputetë të rëndësishëm të Partisë Socialiste, të dy aktivë në emërimin e Arta Markut si Kryeprokurore e Përkohshme.
Burime nga Prokuroria për Krime të Rënda deklaruan për “Boldnews.al” se “konflikti i stisur” pak javë më parë ndërmjet drejtueses Donika Prela dhe 10 prokurorëve të asaj prokurorie, në fakt fshihte, ndër të tjera, edhe vullnetin e shefeve të prokurorisë për të shkatërruar grupin që po udhëhiqte hetimin për këtë grup kriminal, si edhe për lidhjet e tij me eksponentë të lartë të maxhorancës socialiste.
Deputetët aktualë, të cilët janë subjekt i këtij hetimi, dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e fuqishëm kriminal, për të siguruar vota për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Ndërkohë, deri më tani janë kryer arrestimet e ish-deputetëve Çuko dhe Ndoka. Arben Çuko u shkarkua me urgjencë pak javë më parë nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, me një urdhër të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Burime të “Boldnews.al” nga grupi hetimor deklaruan se ministrja Gjonaj, e vënë në dijeni nga drejtuesit e Prokurorisë së Arben Çuko mund të arrestohej në flagrancë, duke marrë para, u detyrua që të urdhëronte shkarkimin e menjëhershëm, duke u munduar, me shumë mundësi, që të shpëtonte vartësin e saj nga arrestimi në flagrancë.
Por, hetimet kishin avancuar deri në pikën e moskthimit dhe veprimi i rrufeshëm i ministres Gjonaj vetëm thjesht sa shtyu në kohë arrestimin e Çukos. Pas arrestimit të ish-deputetit Arben Çuko reagoi menjëherë kryeministri Edi Rama. Në një postim, i cili dukej si i përgatitur më parë se të kryej arrestimi, Rama shprehet se “Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një;s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një;s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: DREJTESINE!”, mbyllet postimi i Edi Ramës.