Dyshimet/ Çfarë e lidh laboratorin e heroinës së Hasit me “vjedhjen e votave” të vitit 2017

Nga Boldnews.al

Policia po shfrytëzon “sekretin hetimor” për të mos njoftuar zyrtarisht mbi operacionin anti-drogë në Has, ku u zbulua një laborator për përpunimin e drogave të forta.

Por, ky diskrecion i policisë, e cila gjithësesi rrugën për të reklamuar punën e saj nëpërmjet “burimeve jozyrtare”, dyshohet se është një mënyrë për të mbuluar një situatë akoma më të rëndë.

Burime të “Boldnews.al” nga grupi hetimor deklarojnë se operacioni është realizuar me insistimin e autoriteteve gjermane, vend në të cilin mbërrinte droga e përpunuar në laboratorin e Hasit. Gjatë ditëve të fundit para operacionit, zyrtarë të lartë të sigurisë gjermane kanë mbërritur në Tiranë, ku kanë takuar Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Menjëherë pas këtyre takimeve, policia shqiptare ndërhyn dhe zbulon laboratorin në Has, duke arrestuar edhe disa banorë të zonës.

Për grupin kriminal që operonte në zonën veriore të vendit, përveç informacioneve gjermane, edhe policia shqiptare kishte informacione, prej të paktën 3 muajsh. Autoritetet shqiptare kishin siguruar të dhëna, në vijim të një hetimi që po zhvillonte Prokuroria për Krime të Rënda për bashkëpunimin e grupeve kriminale me zyrtarë policie dhe politikë, lokalë dhe në Tiranë, gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon një hetim për mënyrën se si grupet kriminale në zonën Has-Dibër janë angazhuar për sigurimin e votave për Partinë Socialiste. Por ky hetim, si shumë të tjerë, nuk ka avancuar, me shumë mundësi për shkak të përfshirjes së figurave të rëndësishme të maxhorancës socialiste.

Gjithësesi, sipas burimeve të “Boldnews.al”, gjatë këtij hetimi të Krimeve të Rënda, janë siguruar të dhëna që një grup i fuqishëm kriminal kishte ngritur laboratorin e përpunimit të drogave të forta në Has. Ekzistojnë dyshime të forta se edhe ky hetim për grupin kriminal kishte stopuar, për shkak të lidhjes që ekzistojnë ndërmjet drejtuesve të tij dhe zyrtarëve me pushtet politik.

Por, aktiviteti i grupit kriminal që kishte ngritur laboratorin në Has ishte nën vëzhgimin edhe të autoriteteve gjermane, të cilat kanë ngritur shqetësimin pranë agjencive ligjzbatuese shqiptare mbi vonesën në goditjen e rrjetit që trafikonte droga të forta në intenerarin Turqi-Bullgari-Kosovë-Shqipëri dhe, pas përpunimit në vendin tonë, shpërndahej në Europën Qendrore e Perëndimore.

Pasi është konstatuar se policia e vendit tonë nuk kishte ndërmend të reagonte, zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane kanë zbarkuar në Tiranë, me qëllimin zyrtar “për të mbështetur autoritetet shqiptare”, por që në fakt ishte një presion i prerë për goditjen e laboratorit në Has.

Fillimisht, për laboratorin e Hasit u arrestuan disa banorë të zonës; Xhavit Shuti, Anila Shuti, Mustafa Shuti, Flamur Bisho Cela dhe V. Bushati. Ndërkohë, paraditen e së Dielës u njoftua, gjithnjë “jozyrtarisht” edhe për arrestimin e një shtetasi turk, i cili ka një biznes fasonësh në Shqipëri. Brenda laboratorit të drogës në Brenog të Hasit mendohet se janë gjetur më shumë se 100 kg heroinë, por Policia e Shtetit ende nuk ka publikuar rezultatet konkrete të operacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *