Një ditë pasi i kërkoi presidentit të Republikës, Ilir Meta që të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas raportimeve se Greqia ka investuar më shumë se 1 milion euro në mediat dhe portalet shqiptare vetëm gjatë muajit tetor, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nuk i ka ndalur kritikat për qëndrimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
I ftuar në ‘News 24’, Idrizi thotë se Bushati është mbyllur në shtëpi në vend që të organizonte një takim urgjent me ambasadorin e Greqisë dhe të kërkonte shpjegime lidhur me këtë rast.
“Nuk ndodh askund ndër vendet e BE që të ketë një qëndrim të tillë. Ministri Bushati është mbyllur në shtëpi se ka dhimbje për ikjen e homologut të tij, Nikos Kocias. Ai duhet të kërkonte takim me ambasadorin e Greqisë në Ministrinë e Jashtme dhe të kërkojë shpjegime se ç’është ky lajm.
Në këto kushte, nuk do reshtim dhe do t’i drejtohemi Prokurorisë për ta vënë në lëvizje. Nëse nuk mblidhet për një rast si ky, atëherë nuk e di pse funksionin Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Jemi në emergjencë kombëtare”, u shpreh Idrizi.
Kreu i PDIU-së e konsideroi këtë skandal si tradhti kombëtare dhe kërkoi nga Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për mediat që kanë përfituar këto fonde.