Nga Boldnews.al
Kompania private Seament dhe Qeveria Shqiptare janë aksionerët kryesorë të Fabrikës së Çimentos së Elbasanit, ku, paraditen e së Premtes, mbeti i vdekur një punonjës dhe u plagos rëndë një tjetër.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, “gjatë punimeve në fabrikën e çimentos, dy shtetas janë aksidentuar ku shtetasi M.S., 56 vjeç, banues në fshatin Ulem, ka ndëruar jetë, si dhe është në gjëndje të rëndë shtetasi T.M., 65 vjeç, banues në lagjen Qemal Stafa, Elbasan”.
Pas këtij aksidenti të rëndë, kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes, si edhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm për shkeljen e rregullave në punë, me pasojë fatale për një punëtor e me pasoja të rënda për një tjetër.
Në bazë të dokumentave zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), rezulton se Fabrika e Çimentos në Elbasan, e njohur me emrin zyrtar “ELBASAN CEMENT FACTORY”, është një kompani e tipit privat/publik. Rreth 77% të aksioneve në këtë kompani janë në pronësi të firmës “Seament Albania”, e cila ka si qendër të aktivitetit të saj zonën e Krujës, ku gjithashtu prodhon çimento. Rreth 23 përqind të aksioneve në këtë kompani i ka qeveria shqiptare, e cila përfaqësohet nga Ministria e Ekonomisë.
Fillimisht, kjo kompani është regjistruar në vitin 1996 vetëm me kapital publik, me emrin “Cimentos”. Më tej, në vitin 2000, qeveria shqiptare vendosi të shesë shumicën e aksioneve të kësaj fabrike,rreth 77%, tek kompania “Seament Albania”. Kjo e fundit caktoi edhe adminstratorin, shtetasin Charles Bouri, i cili vijon ende të mbajë këtë detyrë.
“Albanian Cement Factory”, prej regjistrimit, është e përqëndruar në prodhimin, shitjen, importin dhe eksportin e çimentos, e cila përbën edhe lëndën e parë për industrinë e rëndë, kryesisht për ndërtime godinash dhe rrjetesh infrastrukturore.
Zyrtarë të Policisë së Elbasanit deklaruan zyrtarisht se kanë shoqëruar të paktën 10 persona, për të zbuluar shkaqet e aksidentit të rëndë, ku tonelata me çimento rrëshqitën nga baseni i madh ku mbaheshin dhe ranë mbi trupat e dy punonjësve. Mes të shoqëruarve janë edhe zyrtarë të administratës së kompanisë, ndërkohë që pritet të vlerësohet edhe përgjegjësia e autoriteteve publike, aksionere në Fabrikën e Çimentos, lidhur me kontrollet periodike mbi aktivitetin e “Elbasan Cement Factory”.