Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti është akuzuar publikisht nga studiuesi Taulant Muka për plagjiaturë duke kopjuar artikujt e publikuar në revista të huaja. Për të njëjtën arsye akuzohet dhe zv. ministri i Arsimit Ervin Demo. Demo ditën e sotme nëpërmjet një reagimi në Facebook dha lajmin e dorëheqjen së tij.
Ndryshe nga ish-zv ministri i Arsimit, deputetja socialiste Blerina Gjylameti nuk ka reaguar ndaj akuzave që i janë bërë.
Në një vend të Bashkimit Evropian apo në çdo vend normal demokratik këto pretendime do të shkaktonin reagime të forta. Ditë më parë Politiko.al solli rastet e disa zyrtarëve të lartë në shtetet e BE-së që janë dorëhequr pasi janë akuzuar për plagjiaturë. Rasti i parë i bujshëm ishte ai i Karl-Theodor zu Guttenberg, ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë, që ka hyrë në histori si “skandali i Guttenberg”, raporton Politiko.al.
Mbetet për t’u parë nëse politikanja Gjylameti do të reagojë ndaj akuzave duke kërkuar falje publike, do e kalojë në heshtje apo do të japë dorëheqjen si deputete nga Kuvendi i Shqipërisë.