Ekskluzive/ Prokuroria e Tiranës nis hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingut

Nga Boldnews.al

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për fshehje pasurie për pjesën më të madhe të gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët janë shkarkuar gjatë procesit të Vetingut për shkak se nuk janë kualifikuar në kriterin e pasurisë.

“Boldnews.al” ka mësuar nga burime të prokurorisë së kryeqytetit se 4 prokurorë, pjesë e strukturës “Forca e ligjit” janë ngarkuar nga drejtuesja e tyre, Elisabeta Imeraj që të zhvillojnë hetimet, mbi bazën e problematikave të konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Rreth 15 gjyqtarë e prokurorë, të cilët u rrëzuan nga Komisioni i Vetingut, pritet që së shpejti të përballen me hetuesit, në proceset penale të nisura ndaj tyre. Në listën e personave nën hetim janë ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, si edhe gjyqtarë e prokurorë të niveleve të tjera, emrat e të cilëve gjendeshin në listën prioritare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u përfshirë në procesin e Vetingut.

Shumica absolute e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë marrë kartonin e kuq nga Komisioni i Vetingut nuk kanë arritur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre. Atyre iu ndërpre karriera në sistemin e drejtësisë, për faktin se nuk ishin në gjendje që të vërtetonin se pasuritë e tyre, kryesisht apartamente, troje, por edhe llogari bankare.

Paketa ligjore e Reformës në Drejtësi, e sidomos ligji për Vetingun, ka krijuar të gjitha mundësitë që gjyqtarët e prokurorët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, krahas shkarkimit nga detyra, mund të përballen edhe me pasojat penale të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Kodi Penal, në nenin 257/a të tij, ka parashikuar se zyrtarët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, rrezikojnë dënimin deri në 4 vjet burgim. Bazuar në këtë përcaktim ligjor, Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë nismën për të zhvilluar hetimin ndaj ish-zyrtarëve më të lartë të sistemit të drejtësisë, të cilët tashmë e shohin veten të papunë për shkak se nuk kanë arritur të justifikojnë pasuritë e krijuara ndër vite.

Hetimi i zgjeruar, i nisur nga Prokuroria e Tiranës, shënon një hap të rëndësishëm në politikën penale në Shqipëri. Opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë të angazhuar për realizimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri presin që gjyqtarët e prokurorët me pasuri të pajustifikuar, jo vetëm që të largohen nga detyra, por edhe të përgjigjen përballë ligjit penal.

Gjithësesi, mbetet për t’u parë se si do të vijojë më tej nisma e Prokurorisë së Tiranës për hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu. Procedurat hetimore, sipas burimeve të “Boldnews.al” kanë nisur në fillim të kësaj jave dhe veprimet proceduriale mund të marrin një kohë të caktuar për të arritur në konkluzione nëse subjektet, tashmë të shkarkuar, do të përballen në gjykatë me akuzat për fshehjen e pasurisë apo të deklarimit të rremë të pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *