Nga Boldnews.al
Një hetim i paplotë i Prokurorisë së Shkodrës i dha lirinë shumë shpejt Eljon Hatos, i cili u akuzua në vitin 2016 se kishte porositur një vrasje nga paraburgimi i Shën Kollit, ku mbahej i arrestuar për “plagosje të lehtë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Eljon Hato është një prej të plagosurve të ngjarjes së javës së kaluar në ish-Bllok, i cili zyrtarisht thuhet se nisi për shkak të ngacmimit të këngëtares Elvana Gjata, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe i dëmtuar edhe Ervis Martinaj. Fakti që Hato ishte i lirë, kur ai pak kohë më parë kishte qenë i arrestuar për disa akuza të rënda, mbeti i pasqaruar plotësisht.
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila e ka dënuar Eljon Haton me 4 vjet burgim vetëm për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Akuza kryesore, ajo e vrasjes për hakmarrje, mbetur në tentativë, nuk u arrit të provohej nga ana e Prokurorisë së Shkodrës, e cila, siç rezulton nga vendimi i gjykatës, ka kryer hetime sipërfaqësore dhe është bazuar vetëm në informacionet operative të Policisë.
Vendimi i Gjykatës së Shkodrës për Haton daton në Korrik 2017 dhe ka qenë një prej të fundit ku ka qenë e pranishme edhe gjyqtarja Fildeze Hafizi, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, në fund-gushtin e atij viti.
Eljon Hato u arrestua për “plagosje të lehtë me dashje” dhe ‘armëmbajtje pa leje”, pas një konflikti me një të vdekur e një të plagosur, ndodhur në një lokal nate në fshatin Zues, në Maj 2014. Hato rezulton se ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, shtetasin Jetmir Molla, ndërsa miku i tij, Sadedin Erkoceviç ka vrarë Indrit Hyllin.
Ndërkohë që Eljon Hato mbahej në paraburgim për këtë ngjarje, Policia e Shkodrës merr një informacion operativ se ai, nga qelia, kishte porositur shtetasin Osman Malja për të vrarë mjekun e spitalit të Shkodrës, A. Terolli. Shkak për porosinë e kësaj vrasjeje, sipas policië e më pas edhe Prokurorisë, ishte hakmarrja për një konflikt fizik që djali i mjekut, i cili gjithashtu ishte në burgun e Shën Kollit, i dënuar me 16 vjet për një vrasje, kishte pasur me një të burgosur tjetër, Jetmir Llanin.
Bazuar në të dhënat operative, Prokuroria urdhëroi lejimin e përgjimit dhe vëzhgimin e shtetasit Osman Malja, i dyshuar si personi që do të kryente vrasjen e mjekut Terolli, në bazë të porosisë së Eljon Hatos. Pas disa ditë vëzhgimi dhe përgjimesh, Policia arreston vrasësin me pagesë, pak para se ai të kryente krimin.
Bazuar sa më sipër, Prokuroria e Shkodrës e akuzoi, krahas të tjerëve, Eljon Haton për vrasje për hakmarrje, mbetur në tentativë, për rastin e mjekut, si edhe për “armëmbajtje pa leje” e “plagosje të lehtë”, për rastin e konfliktit në lokalin e natës.
Gjatë procesit, treshja gjykuese vendosi të pushojë akuzën e “plagosjes së lehtë”, për shkak se ajo ishte vepër e amnistuar nga Parlamenti. Gjykata vendosi të dënojë Haton me 4 vjet burgim për “armëmbajtje pa leje”. Në vendim, gjykata e Shkodrës është ndalur gjatë, duke argumentuar se përse Prokuroria nuk ka arritur të paraqesë prova bindëse për akuzën e porositjes së vrasjes së mjekut Terolli.
Sipas Prokurorisë, një numër telefoni, për të cilin akuza mendonte që përdorej në paraburgim nga Eljon Hato, komunikonte shpesh me shtetasin Sh. T. dhe ky i fundit me vrasësin e porositur, Osman Malja. Gjithnjë sipas prokurorisë, Eljon Hato, nëpërmjet Sh.T. i kërkonte Osman Maljas të vriste Terollin, pasi djali i mjekut ishte konfliktuar në burg me mikun e tij, Jetmir Llani.
Pretendimin e saj, Prokuroria e mbështeste edhe në faktin që vrasësi i porositur, Osman Malja, kishte pranuar gjatë hetimit se ai ishte porositur nga Eljon Hato për vrasjen e mjekut Tarolli.
Këto ishin argumentat e Prokurorisë, por që nuk arritën të provoheshin para gjykatës. Fillimisht, prova më e fortë e prokurorisë, deklarimi i vrasësit me pagesë, Osman Malja, dhënë gjatë hetimit, u mohua nga vetë ky i fundit në gjykim. Malja deklaroi se nuk e dinte se kush e kishte porositur për vrasjen dhe se emrin e Eljon Hatos e kishte përmendur në hetim, i detyruar nga dhuna që ishte ushtruar ndaj tij nga ana e Policisë, pas arrestimit.
Pas mohimit të vrasësit me pagesë për “porositësin” Hato, treshja gjykuese, deklaron në vendim, se organi i Akuzës nuk solli asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e saj. Kështu, prokuroria nuk paraqiti para gjykatës asnjë provë që numri i telefonit që jepte “porosi nga burgu” të ishte në përdorim të Eljon Hatos. Në zbatim të kërkesës së Prokurorisë, administrata e burgut të Shën Kollit kishte kryer kontrolle në qelinë e Eljon Hatos dhe nuk kishte gjetur asnjë mjet komunikimi.
Gjithashtu, për gjykatën nuk ishte aspak bindës pretendimi i Prokurorisë, pa prova, që Eljon Hato të kishte porositur vrasjen e mjekut Tarolli, vetëm për “respekt” ndaj mikut të tij të burgut, Jetmir Llanaj.
Gjykata ngre pikëpyetje mbi angazhimin e Prokurorisë edhe për faktin që ajo nuk ka kryer asnjë hetim për shtetasin Sh.T., i cili shërbente si “ndërmjetës” mes Eljon Hatos dhe vrasësit të porositur, Osman Malja. Gjithashtu, Prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim edhe për personin që ajo pretendon se kishte interes të hakmerrej ndaj mjekut, të dënuarin Jetmir Llani.
Për shkak të hetimit të çalë të Prokurorisë, treshja gjykuese e përbërë nga Arbër Çela, Luveda Dardha dhe Firdeze Hafizi vendosi dënimin e Eljon Hatos me 4 vjet burgim, pjesën më të madhe të të cilit e kishte bërë gjatë periudhës së paraburgimit.
Prokuroria e Shkodrës apeloi vendimin, duke kërkuar dënimin e Eljon Hatos për vrasje për hakmarrje, mbetur në tentativë për Eljon Haton. Prokurori, i cili ndoqi procesin në Gjykatën e Apelit, pasi kreu disa verifikime, hoqi dorë nga ankimi, duke shprehur dakordësinë me vendimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e Hatos vetëm për “armëmbajtje pa leje”.