“E gjithë PD është vënë në dispozicion të Bashës për të marrë sa më tepër para nga Edi Rama”, ky është perceptimi që ish-ministri dhe deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami deklaroi në studion e “Top Talk” në TCH.
Ai shprehet se nuk ka guxuar të flasë më parë sepse nuk ka pasur fakte, por tanimë ka një pasqyrë të qartë.
“Punët shkojnë mirë. Paratë bëhen. E ka thënë Topalli në një konferencë më parë. Unë nuk kam guxuar të flas sepse nuk kisha ende fakte. Por tani kemi një pasqyrë të plotë që paratë po bëhen nga të dyja palët njësoj. Po ndahen paratë. Është shumë e qartë, që edhe për marrëveshjen iu dha edhe një shumë jo e vogël në dorë. E gjithë PD po punon për të rritur pozicionin negociues të Lulzim Bashës për të marrë sa më shumë para nga Edi Rama”, u shpreh ai.
“Basha nuk lejon më as forcimin e opozitës”, – theksoi Imami, teksa vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje që opozita të forcohet: “Ajo çfarë them është se nëse nuk shkojnë njerëzit tek kutia e votimit për të zgjedhur qeverinë e tyre, sistemi demokratik nuk funksionon më”.
I pyetur nëse a ka një aleancë mes Bashës e Ramës, imami u përgjigj: “Nuk mund intereson se çfarë ka ndodhur pas skene, por ajo çfarë ka ndodhur në skenë. Zgjedhjet që u humbën vitin e kaluar, nuk u humbën vetëm prej drogës dhe parave, por edhe për 250 mijë zgjedhës që humbën besimin tek opozita”.
Sipas tij me Lulzim Bashën kryetar do të jetë e pamundur që opozita të kthejë mbrapsht zgjedhës të humbur.
“Si do të veprojë opozita?! Kemi një gjendje të vështirë. Rrënjët e kësaj gjendje janë zgjedhjet që u dhanë dhe u morën në tavolinë, të dy janë njësoj. As Basha nuk ishte i titulluar për të dhënë zgjedhjet në Tavolinë, e as Rama nuk ishte i titulluar për të marrë zgjedhjet në tavolinë.
Sipas tij njerëzit janë të papërfaqësuar, e opozita e sotme është e dobët në vetvete edhe për këtë fakt, e për këtë arsye Edi Rama vijon të qeverisë me arrogancë. “Nëse nuk shkojmë në zgjedhje s’do kemi një opozitë të fortë, Si mund të shkojmë në zgjedhje nuk di të jap as unë një përgjigje”, u shpreh Imami.