Fushata e Kryeministrit ndaj mediave online, OSBE letër Ramës: Jemi kundër

Pas listës së publikuar më 15 tetor nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka reaguar edhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medies Harlem Desir. Ai ka shprehur shqetësimine tij lidhur me lajmërimin e AKEP dhe kryeministrit Rama, pasi sipas tij shtetet nuk mund të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediet online.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Desir.

Përfaqësuesi u bën thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

‘Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Desir.

Më tej, ai kërkon sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje, Përfaqësuesi ofron edhe asistencën e tij ligjore.

Desir sjell në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *