Politikë e paditur, prokurori dhe polici e varur…

Nga Boldnews.al

Histerizmi politik me akuza, kundër akuza, padi e kundër padi, po kthehet në një telenovelë absurde, ku kreu i qeverisë dhe të besuarit e tij, janë dyndur në prokurori për të kallëzuar kundërshtarët. Kjo nuk është një rastësi, që vetë kreu qeverisë dhe më pas një tufë të tijësh me në krye Taulant Ballën, rendin në dyert e prokurorisë për të kallëzuar për “shpifje” kundërshtarët politik, e së fundmi edhe gazetarët. Rama ka kthyer sytë nga prokuroria, jo se është i “prekur” nga akuzat, por për faktin dhe fatin se këtë institucion e konsideron përfundimisht si të kapur prej tij.

Nëpërmjet prokurorisë së drejtuar nga Arta Marku, kryeministri po tenton që të fusë frikën kujtdo që i nxjerr të palarat. Kur ende nuk e kontrollonte prokurorinë, Rama ngrinte podium e reshtonte kanakaret e tij të partisë të kundërshtonin çdo akuzë të ngritur nga politika dhe media. Po përse e ka ndryshuar këtë formë kreu i qeverisë?
Tashmë kërkon që jo të përgënjeshtrojë, pasi akuzat po vërtetohen që nuk janë genjshtra, por të kërcënojë nëpërmjet përdorimit tërësisht politik të një institucioni në letra (i pavaruar) si Prokuroria.

Dy institucionet kyçe si prokuroria dhe policia, kryeministri i ka nën sqetullën e tij, jo vetëm për të “grumbulluar prova” ndaj kundërshtarit, por më shumë për të prishur ato prova që implikojnë atë, kabinetin dhe deputetët e tij. Rasti më flagrant, që tregon se të dyja institucionet, polici e prokurori janë tërësisht të kapura lidhen me kreun e grupit socialist Taulant Balla.

Kanë regjistruar dhe proceduar më pas çdo denocim të tij, por kurrë nuk e thirrën kreun e grupit parlamentar socialist si të hetuar, apo dyshuar, ndonëse ka dhjetëra dyshime se ka lidhje me elementë criminal dhe mbi të gjithë është permendur në dy skandalet e audiopërgjimit “Veliu-Xhafaj” dhe të çështjes “Xhisiela”.

Në kulmin e dosjes së audiopërgjimit mes Alfred Veliut dhe të dyshuarit Geron Agron Xhafaj, vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, kryeministri minimalisht duhet të ishte thirrur në prokurori, si person që “ka dijeni për ngjarjen”. Vetëm një ditë pas skandalit të audiopërgjimit, Rama u shpreh se e kishte marrë përgjigjen nga një laborator prestigjioz nga një vend partner dhe se kishte konfirmuar se zëri në audiopërgjim ku flitej për trafik droge nuk ishte i Agron Xhafajt.

Rama duhet të thirrej për të vënë në dispozicion këtë përgjigje të “laboratorit presitigjioz”, ose në të kundërt nëse sdo ishte në gjendje të paraqiste prova të merrej nën hetim për “kallëzim të rremë”. Termin “kallëzim të rremë” dhe shfifje po e artikulon thuajse çdo ditë kreu i qeverisë, por vetë është imun dhe këtë imunitet po ia krijon policia dhe prokuroria, sidomos kjo e fundit, që me vepra të dukshme ka treguar se po vepron në shërbim të kryeministrit.

Prokuroria nxjerr të palarat e veta dhe pa “dashje”, duke u kthyer në qesharake në sytë e opinionit publik. Të gjithë procedurat hetimore të marrjes së deklaratës dhe të mostrave të zërit të Agron Xhafajt i kanë kryer vartës të ministrit të Brendshëm, pa praninë e prokurorit. Duke qenë një dosje që ministri Xhafaj kishte “konflikt interesi”, pasi nën dyshim për trafik droge ishte vëllai i tij, prokuroria procedurialisht duhet të kishte ngritur grup pune të drejtuar prej saj, edhe me specialistë, qofshin ato edhe të pavurur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *